Skuadra e Kosovës iu është rikthyer stërvitjeve në stadiumin “Fadil Vokrri” në prag të ndeshjes së radhës në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut.
Në stërvitjen e sotme (e martë) ekipi ka punuar me intensitet jo aq të lartë, teksa përzgjedhësi Alain Giresse ka punuar edhe në aspektin mental, në mënyrë që futbollistët të përqendrohen plotësisht te sfida e radhës dhe ta lënë prapa shpinës zhgënjimin e humbjes së pësuar ndaj Greqisë.
Kujtojmë që me gjithë paraqitjen e mirë në sfidën dytë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, Dardanët humbën me rezultat minimal (0-1).
Ishte ndër rastet e pakta të Helenëve në Prishtinë, të cilin e konvertoi në gol Anastasios Bakasetas në minutën e 36-të.
Kosova nesër (e mërkurë) zhvillon stërvitjen e fundit para duelit të radhës, në orën 17:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa paraprakisht në orën 17:00 do të mbahet konferenca për media.
Dardanët janë nikoqirë të Irlandës së veriut në kryeqytet më 9 qershor (e enjte) me fillim nga ora 20:45.