Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”.
Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.
Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Megjithatë, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.
“Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, tha MJPD-ja përmes një njoftimi për media.
MPJD-ja ka njoftuar se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, gjenden në Strasburg, ku më 16 prill, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.
Gërvalla dhe Ahmeti do të zhvillojnë “takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, tha MPJD-ja.
Më 27 mars, në Komitetin për Politikë dhe Demokraci u votua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që thoshte se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate.
Pas kësaj, raporti duhet të debatohet dhe votohet në Asamblenë Parlamentare, ndërkaq nëse aty kalohet, çështja shkon në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës që mblidhet në maj, i cili jep fjalën përfundimtare.
MPJD-ja tha se në Asamblenë e Përgjithshme kërkohen 2/3 e votave që çështja t’i rekomandohet Këshillit Ministror.
“Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti”, u tha në njoftim.
Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.