Tregtia e jashtme e Shqipërisë për muajin Prill të vitit 2025 sjell sërish sinjale negative në drejtim të eksporteve. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në Prill 2025, eksportet e mallrave ranë në 33 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 4.1% krahasuar me Prillin 2024 dhe 5% më pak se në Mars. Importet, ndërkohë, u rritën lehtë me 0.4% në terma vjetorë, duke kapur vlerën 76 miliardë lekë. Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 43 miliardë lekë, me një rritje prej 4.3% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, panorama për katërmujorin e parë të vitit mbetet më e qëndrueshme, eksportet janë rritur me 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa importet janë ulur me 2.5%. Kjo ka bërë që deficiti tregtar të ngushtohet me 6.5%, duke zbritur në 144 miliardë lekë.
Sa i përket ndryshimit vjetor të grupeve kryesore në drejtim të eksporteve, në Prill rënien më të madhe e kanë regjistruar materialet e ndërtimit, lëkurë e artikuj prej tyre dhe produktet kimike.
Ndërkohë, nga ana tjetër, sa i përket importeve shohim se rënien më të madhe e kanë tekstilet dhe këpucët, pasuar nga, makinerite dhe pjesët e këmbimit. Prodhimet e drurit dhe letrës kanë rritjen më të madhe.
Në planin e tregtisë sipas vendeve, Kosova është partneri me rritjen më të madhe të eksporteve, me një rritje mbresëlënëse prej 87.1% në Prill dhe 81% në katërmujor. Pas saj renditen Greqia dhe Gjermania. Në të kundërt, eksportet drejt Italisë, Spanjës dhe Kinës kanë pësuar rënie të ndjeshme.
Italia mbetet partneri kryesor tregtar me 25.8% të shkëmbimeve në Prill, ndjekur nga Kina me 8.9% dhe Turqia me 7.9%.