Shqipëria vijon t’i qëndrojë në krah Kosovës në aspektin ushtarak dhe me misionin e përgjithshëm për të pasur paqe në rajon.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se një tjetër kontingjent i ushtrisë shqiptare iu bashkua në këtë javë Forcave Ndërkombëtare të Armatosura në Kosovë (KFOR).
KFOR është nismë e NATO-s dhe kjo shihet si kontribut ndaj aleancës ku aderon edhe Shqipëria.
“Pjesëmarrja jonë në këtë mision të NATO-s është një tregues i qartë i vendosmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar dhe mbrojtur paqen në rajon.
Duke njohur rëndësinë e madhe të KFOR-it për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, Forcat tona të Armatosura janë gati të shërbejnë përkrah kolegëve të tyre ndërkombëtarë duke konfirmuar rolin tonë si eksportues të paqes dhe sigurisë globale,” shkroi Peleshi në Facebook.
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, sepse situata në veri ka ardhur drejt përmirësimit. Por pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, NATO-ja ka vendosur ta rritë sërish numrin për të shmangur episodet e dhunshme në komunat veriore me shumicë serbe.