Kosovë, krerët e OVL të UÇK-së të arrestuar për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë përmes ka njoftuar sot se Nasim Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), është arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Haradinaj u arrestua dje në orët e pasditës nga misioni ndërkombëtar për drejtësi EULEX gjatë hyrjes në një televizion privat në Prishtinë, ku ishte ftuar në një emision.
Përpos tij, EULEX më herët gjatë ditës së djeshme arrestoi edhe kryetarin e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë aksionit të bastisjes së zyrës qendrore të organizatës në Prishtinë, aksion i cili zgjati rreth 8 orë.
Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Zyrtarë të tjerë të OVL të UÇK-së në deklarim për mediat thanë se bastisja ka ndodhur pa asnjë paralajmërim nga ana e autoritetit ndërkombëtar të drejtësisë.
OVL e UÇK-së ka thënë dy herë gjatë muajit shtator se ka pranuar material (dosje) që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, gjykatë të cilën kjo organizatë nuk e njeh. Por, përfaqësues të saj kanë thënë se nuk kanë arritur t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.
Në lidhje me aksionin e EULEX-it reagoi edhe presidenti i Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi, i cili u shpreh se “nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare”.
“Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet”, theksoi Thaçi.
Ai gjithashtu u shpreh se “rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm”.
Bastisja e djeshme nga EULEX-i ndodhi një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale zhvilloi arrestimin e parë të Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte. EULEX-i ka mandat që t’u ndihmojë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës.