Kosovë, ministrja gjermane e Mbrojtjes Lambrecht pritet nga kryeministri Kurti

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri kosovar Albin Kurti ka pritur në qeveri ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë Christine Lambrecht e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Kurti, i cili dje qëndroi për vizitë zyrtare në Berlin ku u takua edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz, tha se vizitat dhe takimet e shpeshta të nivelit të lartë Kosovë-Gjermani tregojnë për raportet e mira dypalëshe.

Kurti tha se Gjermania jo vetëm që është aleati i Kosovës me të cilin e lidhin interesat e përbashkëta, por është edhe shtëpia e më shumë se 400 mijë kosovarëve.

Kurti tha se me ministren Lambrecht ka biseduar për mbështetjen e marrë nga kancelari Scholz për aspiratat e Kosovës në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare “si Këshilli i Evropës, ku planifikojmë të aplikojmë së shpejti edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

 “Siguria dhe ruajtja e paqes kudo dhe ngado është temë e pashmangshme e çdo bisede këto javët e fundit. Edhe në takimin me ministren Lambrecht biseduam pikërisht për shqetësimet e sigurisë në rajon dhe Evropë pas invazionit e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Duhet të flasim sa më shpesh dhe hapur për aspiratat tona në fushën e sigurisë, si për shembull, anëtarësimi ynë në mekanizma të sigurisë së përbashkët”, tha Kurti.

Kurti tha se për sigurinë e Kosovës ka 23 vjet që kujdesen edhe forcat gjermane të cilat shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa tha se ka kërkuar nga ministrja gjermane përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë Christine Lambrecht, pas takimit me Kurtin tha se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi të madhe, veçanërisht tani pas agresionit rus në Ukrainë.

Ministrja Lambrecht tha se Gjermania përpos që mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, ajo do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në aspektin ushtarak.

 “Kam siguruar palën kosovare që ne qëndrojmë krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake. Ne jemi në kuadër të KFOR-it prej vitesh të angazhuar dhe do të mbetemi të angazhuar edhe më tej e me këtë rast ju falënderoj për mikpritjen që u keni bërë ushtarëve tonë. Gjithashtu, ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe sa i përket trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë e tyre në të ardhmen”, theksoi Lambrecht.

Lambercht ka thënë se pret që më 13 maj kur do të takohen kryenegociatorët e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, të merren vendime të mira në kuadër të këtij procesi.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takuan në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ndërsa më vonë, të dy liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën në tavolinën e njëjtë për një darkë joformale të thirrur nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Share This Article