Në tre ditët e fundit në Kosovë u regjistruan mbi 50 raste me Covid-19 duke rritur shqetësimin, se masat kufizuese nuk po respektohen sa duhet. Autoritetet paralajmërojnë për ashpërsimin në rast nevoje.
Në Kosovë pas një rënieje të ndjeshme të të infektuarve në javën që shkoi, në tri ditët e fundit pati rritje të numrit të personave të infektuar në mbi 50. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 24 raste të reja, që është numri më i lartë në një ditë kohët e fundit, duke vënë në dyshim kështu mundësinë e lehtësimit të masave të parapara për fazën e dytë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se raste e reja u konfirmuan pas 257 testeve të bëra në rajone të ndyshme të Kosovës. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Gjilanit, 4 raste nga komuna e Prishtinës, 3 nga komuna e Vushtrrisë dhe nga 1 rast në Kamenicë, Mitrovicë dhe Ferizaj. Rastet e të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit e çuan në 919 numrin e përgjithshëm të të prekurve me Covid-19. Deri tani në Kosovë kanë humbur jetën 29 vetë. Rasti i fundit i vdekjes u regjistrua të martën, një grua 63 vjeçare nga komuna e Rahovecit e cila po trajtohej në Klinikën Infektive në Prishtinë. 14 persona u shëruan në 24 orët e fundit duke e çuar në 671 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Paralajmërim për qytetarët
Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 bëri që autoritetet e shëndetësisë në Kosovë të tërheqin vërejtjen, duke paralajmëruar se masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, mund të shtohen nëse qytetarët nuk respektojnë rregullat e parapara. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, tha se “nëse vazhdon të rritet numri i rasteve pozitive, nëse fillon të ketë vatra të infeksionit në komunitet, atëherë duhet të reagohet menjëherë”. Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë, u takua të martën për të analizuar masat e ndërmarra kundër përhapjes së koronavirusit, duke kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë maksimalisht rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit.
Kosova tashmë ka filluar hapjen graduale duke lehtësuar pak masat, ndërsa faza e dytë e lehtësimit është paraparë të bëhet nga data 18 maj. Aktualisht është duke u zbatuar faza e parë e hapjes graduale ekonomike, duke lejuar të punojnë disa biznese nën kushtet e respektimit të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Por këto masa si duket nuk po respektohen sa duhet, konstaton zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. “Kur ka filluar hapja graduale ekonomike, ne shohim mosrespektim të masave nga qytetarët dhe nga një numër i bizneseve”, tha Hoti.
Kujdesi i qytetarëve vendimtar
Ulja e numrit të të infektuarve javën që shkoi, disa ditë me radhë me vetëm nga një rast në 24 orë dhe shumë të shëruar, ngriti shpresat që Kosova po e mund pandeminë. Mikrobiologu i njohur në Kosovë Lul Raka, shkroi në profilin e tij se “Kosova mund të ketë fituar një betejë më koronavirusin e ri, mirëpo si çdo shtet në botë është shumë larg për ta mundur atë tërësisht”. Sipas tij, dalja e parakohshme nga izolimi “do të ishte e rrezikshme”. “Duke marrë parasysh numrat e javës së fundit të të prekurve me COVID-19, Kosova betejën me këtë sëmundje e ka fituar, por për luftën është ende herët të flitet. Kujdesi i qytetarëve ka qenë vendimtar që ta kemi këtë numër të të infektuarve që e patëm. Por, duhet të vazhdojë edhe pas lirimit të masave, që tashmë po ndodh, që të kenë kujdes qytetarët. Ata duhet fokusohen në mbulimin e fytyrës me maska aty ku ka grumbullime të njerëzve dhe duke vazhduar me higjienën e duarve”, shkroi mikrobiologu Lul Raka.
Sipas mikrobiologut nga shembujt e shteteve tjera, të cilat kanë qenë të suksesshme në fazat e para, “çdo lirim i masave i parakohshëm ose i pakujdesshëm, është përcjellë me raste të reja të të infektuarve”. Sidoqoftë, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë në Kosovë do të takohet edhe një herë gjatë kësaj jave për të analizuar situatën në teren dhe sapo respektohen masat e ndërmarra. Faza e dytë e lirimit të masave është paraparë të fillojë nga data 18 maj.