Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Këshillin Prokurorial të Kosovës për procedurën e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të Shtetit.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë ” drejt, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, tha Hovenier përmes një postimi në Twitter.
Ambasadori amerikan tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasdaës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.
“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha ambasadori Hovenier.
Sipas procedurave, nominimi i Blerim Isufajt duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) nuk i ka respektuar rregullat që ky proces të ishte fer dhe transparent.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, tha përmes një reagimi në Twitter Szunyog.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, po ashtu shprehu zhgënjimin për vendimin e KPK-së, duke thënë se kjo nuk është mënyra e “duhur për të ecur përpara”.
Organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë kanë reaguar pas votimit unanim nga KPK-ja për Isufajn.
Nëpërmjet një reagimi të përbashkët, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL, thanë se që prej mesit të marsit kanë publikuar një raport për shkelje gjatë procesit vlerësues të kandidatëve për kryeprokuror. Ata kanë thënë se paneli vlerësues i kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar “duke cenuar meritokracinë e procesit”.
“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni [i organizatave joqeveritare] rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, thuhet në reagim.
Kryeprokurori i Shtetit është pozitë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë Kosovë. Ky post ka një mandat prej shtatë vjetësh.