Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në Kosovë do të zbatohet rigorozitet i plotë i zbatimit të masave ekzistuese dhe do të shtohen masat e reja, teksa nuk e ka përjashtuar fillimin e procedurave për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Në konferencën e shtypit, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën ai ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë presidenti Thaçi, Hoti ka treguar se janë shqyrtuar dy skenare.
“Skenari i parë që nënkupton zbatim shumë rigoroz te masave që i kemi dhe shtimi i atyre të reja, dhe e dyta shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se mbledhja e Këshillit të Sigurisë sapo ka marrë fund dhe ka një pajtueshmëri të përgjithshme të shkohet me skenarin e parë.
“Pra me masa shtesë dhe të përcjellim situatën, duke mos e përjashtuar fillimin e procedurave për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Menjëherë sot do ta miratojmë një listë të gjatë të masave shtesë”, ka deklaruar ai.
Hoti po ashtu ka bërë të ditur se FSK-ja e ka marrë përsipër që të vejë në dispozicion shtretër, sipas nevojës.
“Siç e keni parë në bazë të shifrave, gjendja po rëndohet. Jemi gati në limitet e kapaciteteve shëndetësore. Shpreh keqardhje për të gjitha ato familje qe kanë humbur familjarët gjatë kësaj pandemie dhe atyre që janë prekur ju uroj shërim të shpejtë”, ka thënë ai.
Hoti ka folur edhe për masat shtesë që pritet të hyjnë në fuqi sot.
“Do të jenë më rigoroze, karshi atyre që kemi marrë më herët. Është e papranueshme që ndërkohë që vendimet janë në fuqi, të organizohen dasma e ahengje anembanë Kosovës. Masat tjera do të nënkuptojmë që të obligojmë të gjitha institucionet dhe bizneset për dezinfektues. Detyrohemi të ndalojmë komplet tubimet dhe ritet fetare. Shkojmë momentalisht me masa rigoroze të mbikëqyrjes dhe e lënë të hapur mundësinë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë ai.