Kosova
Kosovën e braktisën 28,164 banorë
Kosova po boshatiset nga viti në vit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2018, nga Kosova janë larguar rreth 30 mijë persona.
Arsyet kryesore që i kanë shtyrë ata ta marrin rrugën jashtë vendit po del të jenë bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe studimet.
Numri i kosovarëve që po e braktisin Kosovën nuk ka shënuar rënie. Madje, krahasuar me vitin 2017 pothuajse është trefishuar.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2018”, rreth 30 mijë persona e kanë braktisur vendin gjatë vitit 2018.
“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 është vlerësuar të jetë gjithsej 28,164 banorë, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.
Në raport theksohet se pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2018 ishin emigrantë legalë, derisa arsyet kryesore të largimit ishin bashkimi familjar dhe punësimi.
“Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Po ashtu, gjatë vitit 2018 një numër emigruan duke kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së, përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)”, thuhet në raport.
Sipas ASK-së, përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-s, një numër i kosovarëve kanë emigruar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Turqi.
Por, përveç kosovarëve që lanë Kosovën e shkuan për të jetuar në vende të huaja, të tjerë ndërruan edhe qytetet ku banonin. Rreth 9 mijë kosovarë lëvizin prej një komune në tjetrën gjatë 2018-ës, shkaku i martesave.
“Gjatë vitit 2018 vlerësohet se një numër i konsiderueshëm i popullsisë rezidente në Kosovë ka ndërruar vendbanimin (komunën) për arsye të ndryshme kryesisht nga vendbanimet rurale në ato urbane dhe surb-urbane. Numri i personave që kanë ndërruar vendbanimin nga komuna e mëparshme (nga një komunë në komunë tjetër-brenda Kosovës) është vlerësuar të jetë gjithsej 8,967 banorë (bazuar në trendin e martesave, lëvizjet në periudhën 5 vjeçare: 2005-2010 të nxjerra nga baza e regjistrimit të popullsisë si dhe numrin e nxënësve që kanë ndërruar komunën e vendbanimit rezident)”, thuhet në raport.
Ndërkohë, për dallim prej atyre që braktisën Kosovën, rreth 7 mijë qytetarë të tjerë e zgjedhën Kosovën që të banonin. Në këtë numër përfshihet të kthyerit, azilkërkuesi dhe ata që janë me lejeqëndrimi.
“Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), UNHCR, IOM, të dhënat nga disa komuna dhe data bazës se EUROSTAT-it numri i imigrantëve në Kosovë, gjatë vitit 2018 është vlerësuar gjithsej 6,762 banorë”, njofton ASK-ja.
Albania
Berisha uron Kurtin për fitoren: Zgjedhjet, një sukses i vërtetë i demokracisë në Kosovë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb
Kosova
BE pret formim të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës
Bashkimi Evropian pret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar angazhimin me autoritetet kosovare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kështu thuhet në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionares për Zgjerim, Marta Kos, një ditë pasi Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
‘Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në’, u tha në deklaratën e dy zyrtareve evropiane.
BE-ja mirëpriti pjesëmarrjen e partive nga të gjitha komunitetet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se ky proces tregoi ‘përkushtim të fortë për parimet demokratike’.
‘I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes’, u tha në deklaratë.
Kurti, pas fitores në zgjedhje, tha se pret bashkëpunim me partitë në opozitë për marrëveshjet prej mbi 800 milionë eurosh që lidhen me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që në total pak vlerën e 6 miliardë eurove.
Kallas dhe Kos tha se ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes janë në interesin e Kosovës dhe kjo, sipas tyre, duhet të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që popullata të përfitojë nga ky plan.
Dy zyrtaret evropiane në deklaratën e përbashkët përmendën edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga blloku evropian, duke theksuar se ai mbetet rruga e vetme për të dyja vendet për të bërë përparim drejt BE-së.
‘Ne presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë’, u tha në deklaratë.
Kosova dhe Serbia e arritën këtë marrëveshje më 2023, dhe pavarësisht se pakti nuk është nënshkruar, ajo konsiderohet obligative për palët nga Brukseli.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL
Kosova
I dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën, Kurti mesazh falënderues për të gjithë votuesit e LVV: U jemi mirënjohës përjetë
Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
-
Albania6 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK5 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports5 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania21 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania6 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania21 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
