Debati për mënyrën e votimit të mërgatës ka bllokuar në KQZ miratimin e buxhetit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e lënë pa diskutim një plan prej gati 7.8 milionë eurosh. Përplasjet mes anëtarëve nisën nga mospajtimet për dërgimin e fletëvotimeve me postë apo shkarkimin e tyre online, çështje që ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe polemikat e zgjedhjeve të 9 shkurtit
Mbt: Përplasjet lënë pa e adresuar në Qeveri kërkesën për buxhetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Mospajtimet mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përkitazi me mënyrën se si duhet të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit qytetarët që jetojnë jashtë vendit, kanë bërë që të mos miratohet buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi zgjedhor.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, prezantoi planin buxhetor në total prej 7,771,486.53 eurove, por që shkaku i dallimeve në qëndrime nuk u hodh fare për diskutim në mbledhjen e këtij institucioni.
“Në këtë shumë përfshihen tri kategoritë kryesore: janë pagat dhe shtesat në vlerën 109 mijë euro, mallrat dhe shërbime 1 milionë e 652 mijë e 575.95 euro dhe shpenzime komunale 9 mijë e 500 euro. Te mallrat dhe shërbimet janë disa aktivitete kryesore që mbulohen. Domethënë, kemi realizuar planifikimet, ku ndër to përfshihen shtypja e fletëvotimeve, broshura dhe lista e votuesve, shërbimet postare për organizimin e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025, pakot e trajnimit, doracakët e trajnimit, transporti i materialit zgjedhor, format zgjedhore, kabinat e votimit, ngjyra matrikulare, furnizimi me vulat, materialet administrative nëpër vendvotime…”, ka thënë Buzhala në ekspozenë e tij.
Por në këtë plan buxhetor, sipas disa prej anëtarëve të KQZ-së, nuk është përfshirë dërgimi me postë i fletëvotimeve te votuesit jashtë Kosovës dhe ai është planifikuar të zhvillohet ndryshe nga siç parashihet me rregullore.
“Duhet të kihet parasysh që në rregullën zgjedhore të KQZ-së të miratuar prej neve specifikisht, rregullohet qartë se procesi i votimit jashtë vendit organizohet në formatin që hapen përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare, ofrohet mundësia me votu në kutitë postare jashtë vendit dhe mundësia tjetër që votuesit në diasporë të dërgojnë zarfin e tyre drejt në kutinë postare në Kosovë. Por, për këto dy të fundit KQZ-ja obligohet që t’ua dërgojë zarfin me fletëvotim, t’ia dërgojë të personalizuar secilit votues. Dhe për këtë aktivitet nuk është paraparë buxhet, prandaj kërkoj që të parashihet buxheti për këtë aktivitet ashtu siç është paraparë edhe në rregullën zgjedhor dhe të mos kthehemi mbrapa në historinë e 9 shkurtit, kur ne kemi edhe çështje që po shqyrtohen dhe po hetohen edhe prej organeve të drejtësisë në raport me keqpërdorimin apo manipulimin që është bërë me vullnetin e qytetarëve të diasporës”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.
Ai theksoi se buxheti i propozuar nga Sekretariati nuk ka marrë paraprakisht as aprovimin e komitetit për buxhet, kur e ka shqyrtuar ditë më parë.
Zbatimin e rregullës zgjedhore, që përcakton se fletëvotimet për votimin e diasporës duhet t’i dërgohen secilit votues në adresat e tyre, e kërkoi anëtari i AAK-së në KQZ, Muharrem Nitaj.
“Unë jam ithtar i asaj qe qysh do që të jenë procedurat dhe baza ligjore, e cilado që të jetë rregullorja për organizimin e zgjedhjeve, duhet ta respektojmë pikë për pikë dhe apeloj te të gjithë kolegët që të kenë një qasje profesionale në raport me këtë”, ka thënë ai.
Kurse Sami Hamiti, anëtar i LDK-së në KQZ, tha se kur është hartuar rregullorja për votimin nga jashtë, ka pasur mundësi që të rregullohet që në zgjedhjet e rregullta të dërgohen fletëvotimet me postë e në ato të parakohshme të mund të shkarkohet fletëvotimi online.
“Unë jam kundër që të bëjmë diçka dhe ta prishim procesin zgjedhor, të kthehemi në një diçka që megjithatë që është llogaritur si përparim dhe si një pjekuri dhe askush nuk e ka kontestuar si proces. Po jashtë afatit po vijnë ende, por kanë ardhë edhe në zgjedhje të rregullta. Ajo ndodh, nuk varet prej nesh”, ka thënë Hamiti.
Sipas tij, procesi i 9 shkurtit, gjatë të cilit nuk janë dërguar fletëvotimet me postë te votuesit, ka qenë i lënduar dhe i kontaminuar.
“Na po duam me u kthy në atë proces prapë”, ka thënë Hamiti.
Por, sipas anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ, dërgimi i fletëvotimeve te votuesit përmes postës do të pamundësonte pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, shkaku i vonesave të arritjes së tyre në kohë.
Anëtari në KQZ, Alban Krasniqi, kërkoi që të përkrahet rekomandimi i Sekretariatit që fletëvotimet të mund të shkarkohen online, ashtu siç është vepruar për zgjedhjet e 9 shkurtit, por me masa shtesë të sigurisë. Ai tha se dërgimi në mënyrë të rregullt i fletëvotimeve nënkupton që një pjesë e madhe e tyre të mos mund të arrijnë me kohë, apo deri më 5 janar.
“Me automatizëm jem duke diskutuar ose po tentohet që të çohet përpara një opsion i cili e pamundëson votimin e mërgatës përmes postës. Afatet që na i ka dhënë sekretariati pamundësojnë votimin e mërgatës”, ka thënë Krasniqi. “12 dhjetori është data kur fillon votimi përmes postës, por nga raporti dhe konfirmimi, datat deri kur munden me mbërri fletëvotimet origjinale do të jetë deri më 5 janar, plotë 7 ditë pas përfundimit të procesit. Do të kemi situata ku do të harxhojmë para, do të bëjmë një lloj komedie edhe me qytetarët e votuesit”.
Kritik ndaj anëtarëve të subjekteve politike në KQZ është shprehur kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi.
“Për çështjen e rregullores, për besë kolegë, kur po ju konvenon pa përjashtim secilit, kur po ju konvenon po e respektojmë rregulloren, kur nuk po na konvenon s’po e respektojmë rregulloren edhe për çështje të tjera”, ka thënë ai.
Radoniqi kërkoi që të arrihet konsensus rreth votimit nga jashtë e kërkesa për buxhetin të procedohet sa më parë për miratim në Qeveri.
“Çkado që diskutojmë, një çështje është e sigurt: është që neve na duhet buxheti. Na nevojitet me u votu një buxhet, një kërkesë nga sekretariati”, ka thënë ai.
Data 28 dhjetor është caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi deputetët dështuan për herë të dytë me radhë ta zgjedhin Qeverinë e re. /Koha.net




