Njëri prej futbollistëve më të mëdhenj nga Kosova, Ardian Kozniku, ka përkujtuar të premten ndeshjen që ishte luajtur më 12 qershor të vitit 1999, në ditën kur NATO zyrtarisht hyri në Kosovë.
12 qershori është ditë feste në Kosovë, ndërsa në këtë datë në vitin 1999 ishte luajtur një ndeshje humanitare në Tetovë. U përballën reprezentacioni i Tetovës dhe një ekip i kombinuar i quajtur Prishtina.
“Për ekipin e Prishtinës luajtën futbollistë që në atë kohë ishin refugjatë në Maqedoni dhe ata të cilët luanin në shtetet evropiane”, ka shkruar Kozniku, që ka bërë karrierë të suksesshme në Kroaci e Francë. Ai ka luajtur për Kroacinë, kurse ka medalje të bronztë botërore.
Qëllimi i ndeshjes ishte mbledhja e fondeve.
“Në ndeshje ishin prezent më tepër se dhjetë mijë shikues dhe u inkasuan afro 12 mijë marka gjermane, të cilat nëpërmjet organizatës humanitare EL Hilal iu shpërndanë refugjatëve kosovarë që gjendeshin në kampet e Maqedonisë”, ka shkruar Kozniku.
Ai ka falënderuar futbollistët që iu përgjigjën ftesës dhe dhanë kontributin e tyre. Ka falënderuar edhe miqtë nga Tetova si Enver Sylejmani, Shaban Sejdiu, Mevaip Osmani, Skender Jonuzi, Ibro Osmani, Aqim Mehmeti e të tjerë.