Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultat preliminare të katër komunave në veri të vendit ku sot u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Sipas KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qysh në raundin e parë.
Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej, derisa rivalja e tij nga PDK mori 25% apo 34 vota.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej, Taulant Kelmendi i PDK-së 186 vota ndërsa Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare 75 vota.
Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota derisa Flatron Hasani i LVV-së mori 180 vota.
Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota derisa rivali i tij Fetah Peci i LVV-së 71 vota apo 37.4%.
Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.
Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti i bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Serbisë.
Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.