Kremlini ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden se do të ketë një reagim të ashpër ndaj Rusisë nëse do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Zëdhënësi Dmitry Peskov, njëkohësisht dhe kreu i propagandës së Putin, deklaroi se nuk ka nevojë të shpjegohet aspak për çështjen e armëve bërthamore, pasi është gjithçka e shkruar në doktrinën e Rusisë.
Doktrina e Moskës parashikon përdorimin e armëve bërthamore taktike në rast të një agresioni kundër Federatës Ruse që vendos në rrezik ekzistencën dhe sovranitetin territorial të Rusisë.
Më herët, Joe Biden, lëshoi një paralajmërim serioz për homologun rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e këshilloi shefin e Kremlinit të mos përdorë armë bërthamore ose kimike në luftën në Ukrainë, pasi gjithçka do të ndryshonte për keq.
“Thjeshtë mos e bëj. Kjo do ta ndryshonte panoramën e luftës, ndryshe nga gjithçka që është parë që prej Luftës së Dytë Botërore, u shpreh Biden në një intervistë për emisionin “60 Minutes”. Megjithatë presidenti Biden nuk hyri në detaje se cila mund të jetë përgjigja amerikane, nëse Rusia do ta tejkalonte atë kufi. “Ju mendoni se do t’ju tregoja ju nëse do ta dija kundërpërgjigjen e saktë? Sigurisht që nuk do e zbuloja. Por do jetë me shumë pasoja”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.