Presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohet së shpejti me presidentin turk Tajip Erdogan, tha sot Kremlini.
I pyetur në lidhje me ftesën e Erdoganit drejtuar Putinit për të vizituar Turqinë për të diskutuar marrëveshjen e grurit të Detit të Zi dhe çështje të tjera, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “ky takim do të zhvillohet së shpejti”.
“Ne zakonisht i shqyrtojmë njoftimet e këtyre vizitave me vendet tona partnere. Së shpejti do të njoftojmë se kur dhe ku do të zhvillohet. Takimi është duke u përgatitur, dhe po përgatitet me detaje”, tha ai.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në korrik 2022 për të ndihmuar në lehtësimin e një krize globale ushqimore lejoi që ngarkesat e grurit ukrainas të eksportoheshin nga portet ukrainase në Detin e Zi.
Por Moska u tërhoq nga marrëveshja muajin e kaluar, duke thënë se një marrëveshje shoqëruese për të lehtësuar eksportin e grurit dhe plehrave ruse nuk ishte zbatuar.
Më herët, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA raportoi se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan do të vizitojë Rusinë, pa dhënë detaje.
Putin i tha Erdoganit në një telefonatë më 2 gusht se Moska është gati të kthehet në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi pasi Perëndimi të përmbushë detyrimet e tij për eksportet ruse.
Eksportet ruse të grurit dhe plehrave nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës për veprimet e saj ushtarake në Ukrainë. Por Moska ka thënë se kufizimet mbi pagesat, administrimin dhe sigurimet po shkaktojnë pengesa.
Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare janë rritur që kur Moska nuk rinovoi marrëveshjen më 17 korrik, dhe Rusia ka sulmuar vazhdimisht portet e Ukrainës dhe objektet e magazinimit të grurit.
Ukraina dhe Rusia kryesojnë eksportet e grurit. Të paktën 33 milionë tonë drithë ukrainase u eksportuan ndërsa marrëveshja e Detit të Zi ishte në veprim.
Kremlini tha gjithashtu sot se Vladimir Putin nuk planifikon të marrë pjesë në samitin e Grupit 20 (G20) në Indi në shtator.
Gjykata Ndërkombëtare Penaleka lëshuar një urdhër arresti për Putinin duke e akuzuar atë për krime lufte në Ukrainë, të cilën Kremlini e mohon. Kjo do të thotë se presidenti rus rrezikon të arrestohet gjatë udhëtimit jashtë vendit.
Këtë javë ai mori pjesë në një mbledhje të udhëheqësve të grupit BRICS të ekonomive në zhvillim në Afrikën e Jugut nëpërmjet videokonferencës dhe jo personalisht.