Më 6 prill, në vitin 1911, në malin Deçiq, u ngrit flamuri kombëtar, për herë të parë pas periudhës së Gjegj Kastriotit Skënderbeut. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, përfundoi me çlirimin e këtyre trevave nga pushtuesi shekullor otoman. Ngritja e flamurit kombëtar do t’i paraprinte pavarësisë së Shqipërisë, një vit më vonë me ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Kryengritjen e Malësisë e organizuan trimat malësor të udhëhequr nga kryetrimi Dedë Gjo Luli, i cili më vonë është shpallur hero kombëtar. Sot, kjo datë u shënohet me homazhe në Bratil ku u ngrit flamuri shqiptar, në Malësi, dhe në SHBA ku malësorët në Detroit dhe Nju Jork, për çdo vjet kan përkujtuar 6 prillin e vitit 1911, kur në Deçiq para 112 vjet u ngrit Flamuri shqiptar.
Në kuadër të shënimit të 112-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, në Bronx – New York, mbrëmja përkujtimore “Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911-2023” ku morën pjesë dhjetra bashkatdhetar, malësorët, dhe aktivistë nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare.
Sipas aktivistit Leonard Berisha ky kremtim i përvjetëshëm u mbajt të shtunën (në datën 29 prill) në restorantin “Easwood Manor”, nën organizmin e Shoqatës “Malësia e Madhe” me një mbrëmje festive për të kremtuar 112 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe.
Duke u përkujtua ngjarja me e lavdishme e historisë së Malësisë dhe heroit tonë Kombëtar Dedë Gjo’ Lulin, tha Berisha, në emër të Komisionit organizativ dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Shoqatës “Malësia e Madhe”, përshëndeti të pranishmit zonja Gjystina Bojaj e cila edhe e udhëhoqi programin festiv të këtij kremtimi.
Hymnet Kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë, nën interpretimin Gjystina Bojaj, shënuan dhe hapjen e këtij kremtimi në përkujtim të 112-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, ngritja e flamurit kombëtar në 6 Prill 1911 në Deçiç, e cila do t’i paraprinte pavarësisë së Shqipërisë, një vit më vonë me ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë.
Bekimi i këtij aktiviteti nga përndershmi Dom Pjeter Popaj – Famullitar i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, u shoqërua edhe me një fjalë rasti përshëndetëse nga ai.
Më pas festën e malësorve e përshëndeti kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” në Nju Jork, Shuqo Gjokaj, zotëri Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD), Prof. Dr. Pashko Camaj – shef i Kabinetit të Federatës PanShqiptare “Vatra”, aktiivistja, zonja Age Ivezaj, dhe aktivisti Gjeke Gjonlekaj – ish gazetar i Zërit të Amerikës,
Shoqata Malesia e Madhe për këtë mbrëmje festive kishte përgatitur një program argëtimi, të udhëhequr nga këngëtari i mirënjohur në komunitetin Shqiptar të New York e rrethinë, Fran Vulaj.
Fjalën e rastit e mbajti zonja Age Ivezaj:
Udhëheqësi dhe strategu i pavdekshëm i maleve tona Dedë Gjon Luli.
Ngritja e flamurit tonë, simbolit më të shenjët, në duart e trimave malësor në malin e Deçiqit është përpjekje e lëvizjes mbarë kombëtare, për ti dhënë fund zgjedhës së robërisë shekullore. Kryengritja ka një rëndësi të madhe historike , sepse kjo ishte zëdhënëse e drejtpërdrejt e rilindjes kombëtare dhe idealeve të tyre për tu dal zot trojeve shqiptare që ishin të okupuara, kur vet ekzistenca e kombit tonë ishte në rrezik. Qëllimi i kryengritje kishte plane të kristalizuara kombëtare, me kërkesa të qarta para vetes dhe para botës, para miqve dhe armiqve, ata donte ta nxjerrin vendin nga robëria shekullore, ta bëjnë Shqipërin e pavarur dhe te çoj ne fund amanetin e kryeheroit tonë Gjejrgj Kastirot- Skendërbeut. Kryengritja e Malësisë ishte pjesë e lëvizjes mbarë kombëtare dhe e para kryengritje me qëllim të caktura për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe administrative të popullit shqiptar.
Kryengritja filloj me 24 Mars 1911 kur Dedë Gjon Luli bashkë me 17 djem të zgjedhur nga Hoti e Gruda sulmuan postet kufitare në Traboin e Rapsh. Turqit u nxunë në befasi, menduan se aty ishte një ushtri dhe dorëzohen, kryengritësit marrin armatimin dhe municionin që ishte aty, kjo është edhe fitorja e parë e kryengritjes. Kushtrimin i pushkëve dhe luftës u përhap në Grudë, Kelmend, Triesh e Kojë, kurse Marash Uci kushtrimonte Shkrelin e Kastratin. Brenda pak ditësh kryengritja u përfshi në të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, numri i kryengritësve nga 17 veta arriti ne 3000 e më vonë forcat e malësorve numëronin më tepër se 10,000 luftar. Kjo luftë nuk ishte kryengritje e 5 ose 7 maleve të Malësisë , por e të gjitha maleve të mbi Shkodrës e nën Shkodrës, ishte lëvizje mbarë kombëtare dhe e koordinuar me kryengritësit e Kosovës të udhëhequr nga prijsat: Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Idriz Seferi Azem e Shote Glica e të tjerë, por edhe nga inteligjenca shkodrane, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi Risto Siliqi, Luigj Bumci, Ndre Mjeda, Nikollë Kacorri dhe të tjerë që më vonë do ti përjetësoj At Gjergj Fishta në kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë”, ku i paraqet malësoret stoik e te pathyeshëm”.
“Se me djem çi i kam mas veti
Dede Gjon Luli, kaçabeti
Si ka Krali, si ka mreti
Si ka toka , si ka deti.”
Dedë Gjon Lulu luftonte bashkë me trimat e vet te pathyeshëm, në istikamet e Rapshës, Shipshanikut, Dinoshës, Qaftv të Uglës, Qepur, Koplik, Prroi i Thatë, Selcë, Vukël, Brojë Shalë, Shosh, Shkrel e Kastrat. Ata ishin betuar për të mbrojt trojet shqiptare me çdo kusht, edhe me jetën dhe gjakun e vet. Kjo luftë ishte vetëm një pjesë e frontit të përgjithshme që kishte përfshi të gjitha malet e Malësisë. I mbarë populli, i madh e i vogël, gra pleq e fëmijë, kush me pushkë e kush me kmesa u bënin rezistencë sulmeve të taborëve turke. Malësoret bënin luftë të pabarabartë me ushtrinë e madhe turke të cilët kishte armatim të përsosur për kohën. Trimëria e luftëtarëve të Hotit, Grudës, Trieshit, Kojës, Këlmendit, Kastratrat e Shkelit dhe betejat qe zhvilluan Malësorët tronditi përfundimisht themelet e Perandorisë Osmane që ishte në përfundimin e saj. Shpalosja e flamurit tonë kombëtar me 6 Prill 1911 në malin e Deçiqit është kulminacioni i Rilindjes tonë kombëtare, kur Nik Gjelosh Luli shpalosin flamurin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut pas 476 viteve të robërisë. Ngritja e flamurit ishte kulmi i vetëdijes kombëtare dhe i përpjekjeve të deri atëhershme për të dalë nga robëria shekullore, për t’i dalur zot vendit, mos të lejojnë copëtimin e trojeve shqiptare dhe të ndalojnë pazarllëqet e diplomacisë evropiane qysh me traktati e Shën Stefanit e deri te kongresi i Berlinit. Strategu i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli se bashku me luftëtarët Malësor ngrihen si një fuqi shpirtërore e ushtarake për të ndalur të keqen që i kanosej popullit tonë. Kjo ishte lëvizje mbarë kombëtare për ti dhënë fund robërisë dhe për ta bërë Shqipërinë “ Zonjë në vete” ashtu si e thoshte Vaso Pasha. Kryengritja e Malësisë së Madhe është përpjekje për të çliruar vendin nga të huajt dhe për të formuar shtetin e lirë shqiptar. Për lidhjet e forta të kryengritësve dhe prijsave të tyre Dedë Gjon Lulit, Mehmet Shpendit , Luigj Gurakuqit , Hasan Prishtina, Ismail Qelamilit dhe me parin përparimtare nga të gjitha viset e Shqipërisë dëshmon kuvendi historik i Greçës që u mbajt prej 12 deri me 23 Qershor 1911 në pllajën e Greçës së Trieshit, kund u mblodhën prijsat nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kuvendi doli me një program mbarë kombëtar dhe iu paraqit qeverisë Xhonturke (turqëve të rinj), fqinjëve tonë sllavë dhe fuqive të mëdha. Memorandumi i Greçës u formulua nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, ata nxorën një broshurë që u quajt ndryshe “ Libri kuq “ për shkak të kopertinave. Në 12 pika parashtrohej një program për autonominë e Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar edhe në platformën e lëvizjes kombëtare që nga koha e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878. Se ç’ka kërkonin shqiptarët me së miri e thotë kënga popullore që i dedikohet Dedë Gjon Lulit:
“Dedë Gjon Luli shkruan nji letër
Bedri Pashës ja ka çua,
Se Shqipnia nuk don tjetër
Veç don vetin me sundua”
Ky memorandum ka rëndësi të veçantë, sepse del nga gjiri i kryengritjes e vet populli, ishte nevojë jetike për tu dalë zot trojeve dhe për të mbrojtur Malësinë si pjesë të trungut shqiptarë. Ky ishte edhe një grusht i rëndë për shtetet fqinje që e mohonin karakterin e vërtet kombëtar të lëvizjes shqiptare. Malësorët ndodheshin në mes të dy zjarreve, nga njëra anë ata ishin të sulmuar nga taborët turke kurse Serbia dhe Mali i Zi bënin ç’mos dhe me dredhi, mundoheshin t’i përçajnë shqiptarët. Kërkesat e memorandumit të Greçes i drejtoheshin përfaqësuesit diplomatik të Turqisë në Cetinë, Sefedin Beut. Në atë kohë kur turqit dhe Malazezët kërkonin që malësorët të heqin dorë nga çlirimi i krahinave të tyre. Kral Nikolla, hilexhi dhe i pabesë, me dinakëri u mundua ti përçaj shqiptarët në baza fetare dhe ti përdori ata në favor të vet. Në takimin që pati me Dedë Gjon Luli ai i tha se flamurin e tij e njeh gjithë bota dhe malësorët duhet të luftojnë me flamurin e Malit te Zi, por Deda kategorikisht e kundërshtoj dhe i tha:” jo besa se na kemi flamurin tonë dhe kurrë nuk do të luftojmë nën asnjë flamur tjetër, pa ju e kemi filluar luftën dhe pa ju do ta mbarojmë, se nuk duam që lirin t’ja kemi borxh askujt, duam me e fitua me gjak dhe me e gëzua vet”. Që nga ajo dite Mali i Zi u mundua me e sabotua kryengritjen në të gjitha anë, ajo priste dobësimin e perandorisë osmane, që më vonë ta uzurpoj tërë Malësinë dhe ta marri edhe Shkodrën. Por shpalosja e flamurit kombëtar me 6 prill 1911 ne malin e Deçiq i përgënjeshtroj ëndrrat e iluzionet e tij, kështu që nga ajo ditë jo vetëm që ua ndërpreu të gjitha ndihmat kryengritëseve, por u mundua në çdo mënyre të shuaj kryengritjen e tyre.
Kryengritja e Malësisë se Madhe është gur themeli i shtetit shqiptar, kjo ishte një frymëzim me sakrifica mbinjerëzore e burrave dhe burrneshave që ishin të vendosur te japin jetën e tyre për të dëbuar hordhit osmane nga toka arbërore. Ajo kishte për qëllim kryesor, ti jepte fund robërisë shekullore, për ta realizuar lirinë dhe pavarësinë territoriale shqiptare si komb e shtet i pavarur shqiptar. Pas betejave dhe rezistencës së fort kryengritja u shua, por lufta nuk pushoi, ajo mori hov anembanë Shqipërisë dhe nuk u ndal derisa një vit më vonë, plaku i urtë Ismail Qemali, nga ballkoni i godinës pranë sheshit të skelës detare në Vlorë, ngriti flamurin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë me 28 Nëntor të vitit 1912.
Pushtuesit osman, fuqitë e mëdha dhe fqinjët tonë sllavë që uzurpuan tokat tona, fatkeqësisht, e shkëputën nga trungu shqiptar Malësinë e Dedë Gjon Lulit dhe gjysmën e trojeve etnike i lanë jashtë kufirit politik të shtetit amë.
Malazezët dhe askush tjetër kurrë nuk mund ti përça shqiptarët në baza fetare sepse na jemi vëllezër të një gjaku, dhe bij të Shqipërisë. Dashuria e pafund për atdheun tonë nuk do të shterret derisa të rrjedhë gjak shqiptarit në damarët tonë. Këtë e dëshmua malësoret se janë aty kur ka nevojë vendlindja, pa marre parasysh distancën hapësinore, sikurse edhe me 5 Mars te këtij viti kur pjesëmarrja e mërgatës në votime ishte vendimtare në fitoren e “Forumit Shqiptar” që ishte faktor i rëndësishëm për të ardhmen e Malësisë.
Zgjedhjet lokale në Tuz për malësorët në Diasporë ishin një kushtrim për ti dal zot vendit dhe vërtet ata u përgjigjen ashtu si e thoshte Fan Noli;
“Mbahu nënë e mos kij frikë
Se i ke djemtë në Amerikë”.
Lavdi kryengritjes Malësisë dhe dëshmorëve të saj që u flijuan për liri e bashkim të Shqipërisë!
Lavdi flamurit tonë kuq e zi, simbolit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, idhullit, nderit dhe krenarisë së shqiptarizmit.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Ndërsa zotëri Gjekë Gjonlekaj, gazetar e publicist gjithashtu foli mbi rëndësinë historike të kryengritjes së Malësisë së Madhe, dhe mbi luftrat e shumta të Malësorëve, për pavarësinë e Shqipërisë.
Fjala e plotë :
Imzot Noli në shkrimet e tij e krahasonte Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 me Luftën e amerikane të Bunker Hillit në krye me George Washingtonin. Ndërsa Ismail Kadare thotë luftërat e Gjergj Kastriot Skënderbeut ishin prolog e luftërave për liri kundër Perandorisë Otomane ndërsa Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte epilog kundër kësaj Perandorie.
Unë sonte nuk do të flas për Kryengritjen e Malësisë sepse Zonja Age Ivezaj foli shumë bukur për këtë ngjarje historike.
Sonte do të flasë më shumë për diasporën e Tuzit dhe Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Emërtimin diasporë e ka sjellë në publicistikën shqiptare Faik Konica. Izraelitët antikë i quanin diasporë hebrejtë që jetonin jashtë Izraelit dhe Palestinës. Edhe diaspora ilire, më vonë arbërore dhe shqiptare ishte dhe është shumë e njohur. Pjesë e diasporës ilire ishin perandori romak Konstantini dhe iliri i fisit dalmat Shën Jeronimi. Pjesë e diasporës arbërore ishte Veziri i Madh Ibrahimi këshilltari dhe besniku më i madh i Sulltan Sulejmanit të Madh. Bile biografët thonë Veziri i Madh Ibrahim ishte i krishterë dhe si i tillë kishte ndikuar shumë tek Sulltan Sulejmani që të krishterët dhe hebrenjtë nën sundimin e Perandorisë Otomane të ishin të lirë të për të ushtruar fenë e tyre, çka tregon se merita e madhe për lirinë fetare në kohën e Sulltan Sulejmanit i takon Vezirit të Madh arbëror Ibrahimit. Përndryshe ai ishte i njohur me emrin e krishterë Mark Ura. I tillë kishte qenë edhe Mehmet Aliu i Egjiptitt i cili themeluar mbretërinë egjiptiane. Mehmet Aliu kishte qenë shumë i kujdesshëm për lirine fetare të koptikëve katolik të Egjiptit. Këtë e pohon historiani dhe analisti i mirënjohur arabo-amerikan Fuad Axhami. Kjo do të thotë se ata e kishin mësuar respektin ndërfetar në tokën arbërore ku edhe kishin lindur. Kështu vepruan edhe Marko Boçari dhe shumë luftëtarë të tjerë të dalluar për lirinë e Greqisë nga Perandoria Otomane. Kolonia më mirë me thënë diaspora arbëreshe e Italisë i kishte dhënë Italisë Papa Klementin e IX, pastaj kryeministrin e parë të Italisë së Bashkuar Francesko Krispin dhe filozofin e madh arbëresh Antonio Gramshin. Pjesë e diasporës shqiptare dhe arbërore ishin edhe Gjergj Kastriot Skenderbeu, Nënë Tereza dhe për disa dekada edhe Ismail Kadare kishte qenë pjesë e diasporës. S’ka asnjë dyshim se diaspora shqiptare dha kontribut të rëndësishëm për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, çfarë ndodhi edhe me Kosovën.
Diaspora e Malësië dhe Tuzit në Amerikë është relativisht e re. Malësorët shqiptarë të kësaj treve shqiptare filluan të shpërngulen në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada tash pothuajse 6 dekada. Shumica ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara. Ata e braktisën vendlindjen për arsye politike dhe ekonomike. Pushteti jugosllavë ishte diskriminues në mënyra të ndryshme dhe ata e panë se pasardhësit e tyre nuk do të kenë asnjë lloj përparimi në Tuz dhe në Malësi. Në Shtetet e Bashkuara ata punuan rëndë dhe shumica nga ata dhanë maksimumin për shkollimin e fëmijëve të tyre. Sot kjo diasporë në gjirin e vet ka shumë specialist të fushave të ndryshme në këtë vend.
Më 5 mars të këtij viti ishin paralajmëruar zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit. Diaspora jonë u tregua jashtëzakonisht e interesuar për fitoren e Forumit Shqiptar ku bënin pjesë disa parti më mirë me thënë grupime politike që kërkonte mandatin e dytë për të drejtuar dhe udhëhequr këtë trevë arbërore. Ata bënë fushatë atje, por edhe në diasporën tone dhe ne diasporat tjera në Evropë e deri edhe në Australi. Malësorët e Amerikës gjithmonë e kanë dashur dhe e duan vendlindjen e tyre, duke ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht. Këto ndihma nuk munguan kurrë. Në këtë mes ndodhi një mrekulli që nuk ishte pritur kurrë. Nga Shtetet e Bashkuara shkuan më shumë se 700 malësorë për t’i siguruar Tuzit dhe Malësisë fitore të bindshme. Në këto 6 dekada kjo është vepra më historike dhe patriotike e malësorëve nga Tuz dhe Malësia. Diaspora amerikane shpenzoi miliona dollarë për të siguruar këtë fitore historike. Me ndihmën e diasporës ata fituan shumicën e mandateve në Kuvendin e Tuzit. Të gjithë ata që udhëtuan nga Amerika për në vendlindje meritojnë respekt e nderime të jashtëzakonshme.
Por dy personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan meritojnë një nderim të veçantë. Këta janë Mark Gjonaj ish politikan i njohur në New York dhe Nikollë Juncaj ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me 15 malësorë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 vajti nga Amerika për të ndihmuar Kosovën në luftë për liri. Nikollë Juncaj dhe Mark Gjonaj kishin shkuar disa ditë përpara se të fillonte fushata për të qenë të pranishëm në të gjitha mbledhjet e fushatës. Nikollë Juncaj ato dite mbante fjalime në të gjitha trevat e Malësisë dhe në Tuz. Nikolla ishte shumë i besueshëm tek populli i Tuzit dhe Malësië, ngase ata ishin të sigurte se një luftëtar për lirinë e Kosovës kishte shkruar në Malësi për të mirën e atij vendi. Nikolla bënte fushat të stilit politik amerikan. Kështu Malësia dhe Tuzi fitoi respekt dhe më të madh për luftëtarët malësorë të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara. Malësorët sollën në Tuz kulturën dhe sjelljet amerikane në zgjedhje duke ruajtur me shumë kujdes paqen rëndin dhe qetësinë siç e kërkon bota e qytetëruar. Malësorët e Amerikës u dhanë kurajo edhe vendaseve për të votuar.
Lusim Zotin që komunarët në krye me udhëheqësin e mirënjohur z. Nik Gjeloshaj do të ndërtojnë midis Tuzit të Ri dhe Tuzit të Vjetër dhe qytetit të vjetër të Tuzit Harkun e Triumfit ku do të skaliten emrat e të gjithë malësorë të diasporës që morën pjesë të këtë ngjarje historike. Diaspora e meriton shumë për këtë sakrificë nga se ata bënë shumë për demokracinë dhe përparimin e vendlindjes së tyre. Malësorët e Amerikës kanë realizuar atje shumë vepra të mira, por vajtja më 5 mars do të shënon kulmin e dashurisë dhe respektit për vendlindjen e tyre. Emri i tyre duhet të shënohet me germa të arta, ngase do të shkëlqej gjithmonë në historinë e Tuzit dhe Malësisë. Urime Malësi, urime diasporë.
Mbrëmjen festive e mbylli znj. Gjystina Bojaj duke falënderuar të gjithë folësit. Ajo tha se ishte kënaqësi të dëgjojmë fjalët tuaja në përkujtim të 112 vjetorit të Kryengritjes se Malësisë, ngjarjes me te lavdishme të historisë së Malësisë dhe heroit tonë Kombëtar Dede Gjo’ Lulit.