Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi foli sot pas mbledhjes së deputetëve demokratë, e katërta e radhës për çështjet e diskutuara. Ndër të tjera Bardhi u pyet dhe për zëvendësimin e tij në Parlament nga kreu i PD Lulzim Basha.
“Ka një rregullore të qartë të parlamentit. Sa kohë ka rregulla të shkruara ato duhet të zbatohen. Kush merr përsipër të shkelë rregullat për të krijuar opozitë të rremë në parlament, duhet të marrë përsipër pasojat. E kuptoj që interesi i maxhorancës do të ishte që dikush që për një vit e gjysmë nuk ka qenë në parlament të jetë.
Taulant Balla e ka njohur Lulzim Bashën si kryetar të opozitës, i ka vënë punonjës garde për ta ruajtur. Prokurorëve që iu rrezikohet jeta nuk sigurohen, ndërkohë që Bashës i ka vënë punonjës garde. Opozita është e fokusuar në betejë me Edi Ramën”, tha Bardhi.