Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell ngriu për një kohë të shkurtër dhe nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej një pyetjeje nga një gazetar në një ngjarje në Kentaki të mërkurën, disa javë pasi përjetoi një problem të ngjashëm në Uashington.
Sipas një videoje të transmetuar nga një stacion lokal lajmesh, 81-vjeçari McConnell u pyet nëse do të kandidonte në zgjedhjet e vitit 2026. Senatori i kërkoi gazetarit të përsëriste pyetjen përpara se të ndalonte së foluri për rreth 10 sekonda.
Një grua që qëndronte afër senatorit McConnell e pyeti nëse e dëgjoi pyetjen dhe ajo e përsëriti atë. Kur McConnell nuk u përgjigj, ajo njoftoi të pranishmit se kishin nevojë për pak kohë. McConnell më vonë iu përgjigj dy pyetjeve shtesë, por jo pyetjes lidhur me kandidimin e tij në zgjedhjet e vitit 2026. Ai dukej se kishte disa vështirësi në të folur dhe u largua duke ecur ngadalë nga salla ku po mbahej konferenca për shtyp.
Reagimi i senatorit McConnell ishte i ngjashëm me një incident të mëparshëm kur ai ngriu për rreth 20 sekonda në një konferencë shtypi në ndërtesën e Kongresit amerikan në fund të korrikut. Ai u kthye në zyrën e tij me ndihmësit dhe më pas u rikthye për t’iu përgjigjur pyetjeve të tjera.
Incidenti i fundit në Kovington të Kentakit, të mërkurën intensifikon debatin e muajve të fundit në lidhje me shëndetin e senatorit McConnell dhe nëse republikani nga Kentaki, i cili u zgjodh për herë të parë në Senat në 1984 dhe ka shërbyer si udhëheqës i republikanëve në Senat që nga viti 2007, do të mbetet në postin e tij drejtues.
Zyra e tij tha më pas se senatori McConnell “për momentin po vuan nga marramendja” dhe do të bënte një kotroll mjekësor përpara aktivitetit të tij të radhës. Në mënyrë të ngjashme, pas incidentit të muajit korrik, këshilltarët e tij thanë se zoti McConnell kishte patur një moment të marramendjes. Senatori McConnell u tha gazetarëve disa orë më vonë se ai ishte “mirë”. As McConnell dhe as ndihmësit e tij nuk kanë dhënë hollëri të tjera rreth asaj që ndodhi.
Në mars, McConnell pësoi një goditje në kokë pasi u rrëzua në një nga hotelet e Uashingtonit. Pas këtij incidenti, ai nuk u kthye në Senat për gati gjashtë javë. Që atëherë, ai është parë duke ecur dhe folur më ngadalë.
Senatori McConnell është prekur nga poliomieliti në fëmijëri dhe ai e ka pranuar prej kohësh se ka vështirësi gjatë ngjitjes në shkallë. Në vitin 2019, udhëheqësi i republikanëve u rrëzua në shtëpinë e tij në Kentaki, duke pësuar një thyerje në shpatull që kërkonte operacion.