Qeveria ka dërguar për shqyrtim në Kuvend projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet”, i cili parashikon krijimin e një mekanizmi të ri financiar publik për përballimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.
Në qendër të këtij sistemi qëndron Fondi Kombëtar i Sigurimit të Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, i cili do të administrojë të gjithë skemën e sigurimit të banesave në nivel kombëtar.
Fondi do të jetë person juridik publik, i organizuar në formë shoqërie aksionare, me funksion financiar dhe administrativ. Ai do të grumbullojë primet e sigurimit të detyrueshëm që do të paguhen nga pronarët e banesave dhe do t’i përdorë këto të ardhura për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet dhe përmbytjet.
Sipas projektligjit, çmimi i sigurimit nuk do të përcaktohet nga tregu, por do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, mbi bazën e riskut, zonës gjeografike dhe tipologjisë së ndërtesës. Metodologjia e llogaritjes së primit do të mbështetet në modele aktuariale të zhvilluara për kushtet e Shqipërisë.
Në këtë skemë, kompanitë private të sigurimit nuk do të mbajnë riskun financiar, por do të veprojnë si agjentë për shpërndarjen e kontratave, mbledhjen e primeve dhe administrimin teknik të procesit. Të ardhurat e mbledhura do të transferohen në Fond, i cili do të jetë institucioni përgjegjës për pagesën e dëmeve.
Në rast të një fatkeqësie natyrore, dëmet do të vlerësohen nga ekspertë të licencuar, ndërsa pagesa e dëmshpërblimit do të kryhet nga Fondi, brenda afateve të përcaktuara. Dëmshpërblimi do të mbulojë dëmet materiale të banesës dhe të sendeve brenda saj, por jo humbje të aktivitetit ekonomik apo fitime të munguar.
Projektligji parashikon gjithashtu që Fondi të krijojë rezerva financiare, përmes administrimit dhe investimit të të ardhurave, me qëllim përballimin e ngjarjeve me ndikim të madh financiar. Fondi nuk i nënshtrohet procedurave të falimentimit apo likuidimit, duke synuar garantimin e vazhdimësisë së tij në çdo situatë.
Struktura drejtuese e Fondit përbëhet nga Asambleja e Përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Këshilli Mbikëqyrës ka rol kyç në miratimin e politikave të investimit, rregulloreve dhe drejtimit strategjik të Fondit.
Me këtë skemë të re, shteti synon të zhvendosë menaxhimin e riskut nga ndërhyrjet emergjente pas fatkeqësive, drejt një sistemi të parashikueshëm sigurimi, duke reduktuar ekspozimin e drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit dhe duke krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm financiar për mbrojtjen e banesave.
Scan tv

