Një tragjedi familjare në Britani ka shkaktuar tmerr dhe neveri, pasi një burrë 68-vjeçar i preu kokën gruas së tij mbi varrin e djalit të tyre, i cili kishte kryer vetëvrasje.
Për këtë krim, ai përballet me një dënim që mund të arrijë deri në 25 vjet burg. Sipas raportimeve të Daily Mail, Martin Suter rrëfeu vrasjen e ish-gruas së tij, 71-vjeçares Anne Blackwood, në varrezat e qytetit Stubbington. Autoritetet kanë bërë të ditur se ai përdori një thikë kuzhine për të kryer sulmin.
Sipas dëshmive të gjyqit, Suter i kishte ngritur një pritë ish-gruas së tij, të cilën e kishte pritur për pesë orë në varreza, ditën e ditëlindjes së djalit të tyre. Në përshkrimin e krimit, u tha se Suter e goditi Anne Blackwood në shpinë me thikën e kuzhinës dhe më pas e “përfundoi” vrasjen me një palë gërshërë.
Pas sulmit, ai telefonoi policinë dhe u tha: “Sapo vrava ish-gruan time”, duke e fajësuar më pas për vetëvrasjen e djalit të tyre, i cili kishte kryer aktin tragjik në vitin 2003. Suter pranoi vrasjen, por deklaroi në mbrojtje se nuk kishte marrë thikën me qëllim të veçantë për të vrarë, por për të prerë lule.
Megjithatë, ai përballet gjithashtu me gjashtë akuza të tjera, lidhur me sulmin ndaj një vajze nën moshën 14 vjeç. Sipas raportimeve, autori i krimit ishte një anëtar i respektuar i komunitetit lokal dhe banonte në një shtëpi me vlerë 800,000 paund, në një zonë të njohur për entuziastët e lundrimit me vela. Ai ishte gjithashtu pronar i një jahti, anëtar i Partisë së Gjelbër dhe kandidat në zgjedhjet lokale të mëparshme.
Në të kaluarën, Suter kishte qenë para gjykatave në Mançester, ku ishte dënuar për sulm të pahijshëm ndaj një vajze të mitur.




