Policia e Shtetit ka nisur disa hetime sa i përket krimeve zgjedhore. Duke mos dhënë shumë detaje lidhur me arrestimin e Alfred Belerit, drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi, tha se po ndiqen denoncimet në disa qarqe.
‘Strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor’, tha Jaupi.
Për zgjedhjet lokale të 14 majit, Jaupi u shpreh se duke filluar prej orës 18:00 të së premtes, deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, kalojnë në gatishmërinë ‘Shërbim i Përforcuar’.
‘Kjo masë merret me qëllim përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme me të cilën na ngarkon ligji dhe detyrimi ndaj qytetarëve, për ofrimin e një mjedisi të sigurt si parakusht për ushtrimin e lirë të të drejtës për të zgjedhur përmes votës, përfaqësuesit e tyre në njësitë e qeverisjes vendore. Kërkohet kryerja e veprimeve të shpejta, profesionale, rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera përgjegjëse sipas fushës, ruajtja e gjakftohtësisë në çdo situatë dhe rrethanë, si dhe komunikim me etikë policore’, tha Jaupi.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, janë trajnuar 7530 punonjës policie ndërsa për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve, do të angazhohen 5511 punonjës policie. 57 objekte të rëndësishme do të merren në ruajtje nga Forcat Komando. Në këto zgjedhje është miratuar edhe një regjistër i posaçëm për krimet zgjedhore.