Duke u ndalur tek programi i Partisë Demokratike, kreu i Republikanëve Fatmir Mediu propozoi edhe përfshirjen e çështjes së pronës private dhe të të përndjekurve politikë.
“Në qoftë se ka një krim të kryer mbi shoqërinë shqiptare por edhe mbi ekonominë shqiptare është çështja e pronës private. Janë mbi 8 mijë viktima nga mosrespektimi i të drejtës së pronës private në Shqipëri dhe çështja e pronës private është sa një çështje e të drejtës, është një çështje sociale, është një çështje ekonomike është dhe një çështje politike.
Unë vlerësoj qëndrimin e Partisë Demokratike për ta riparë pozicionin e vet në raport me pronat dhe meqenëse Partia Republikane ka qenë partia e vetme në mbështetje të lirisë dhe të drejtës së pronës të përcaktuar në Kushtetutë, mendoj që duhet të koordinojmë qëndrimin tonë, në mënyrë që t`i shërbejmë më në fund kthimit të pronës tek i zoti dhe kompensimit me vlerën e tregut. Kjo është një domosdoshmëri përballë jo thjesht pronarëve, por përballë shoqërisë shqiptare,” ka thënë Mediu.
Për Mediun reforma rregullatore në ekonomi dhe politika e jashtme dhe interesi kombëtar për vendin mbetet një tjetër prioritet i opozitës së bashkuar.
“Liria ekonomike në treg kërkon padyshim të tjera standarte që kanë të bëjnë me reformën rregullatore dhe vendosjen e detyrimeve ligjore përballë gjithë institucioneve për të respektuar lirinë e tregut dhe për të respektuar raportet e drejta me biznesin, pra jo një mbivendosje të shtetit mbi biznesin por një partneritet të shtetit me biznesin për të krijuar hapësira, vende pune, që krahas politikave fiskale, taksave të ulëta, të kemi një raport të drejtë të shtetit me biznesin,” shprehet Mediu.
Ndonëse jemi dy muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, marrëveshja midis Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike vazhdon të mbetet akoma pezull./Ora News/