Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga atentati në Larushk të Krujës që për synimin kishte eleminimin e Gentian Bejtjas, nuk ka ende një person të akuzuar ndërsa janë lënë të lirë dhe tre personat e shoqëruar një natë më parë, vëllezërit Durim e Valter Bamin si dhe Marklen Haka.
Të shoqëruar janë 10 persona të tjerë me dyshimin se mund të kenë informacion për ngjarjen.
Gentjan Bejtja që i shpëtoi një atentati të tretë nuk është thirrur ende për tu marrë në pyetje nga policia. Burimet thonë se ai doli nga makina që drejtohej nga kunati i tij Ramazan Sino vetem pak minuta se autorët të qëllonin në drejtim të banesës duke lënë të vrarë 29 vjeçarin dhe plagosur dy fëmijët e mitur 10 dhe 13 vjeç.
Autorët lanë mjetin në rrugë dhe kanë ecur disa metra në këmbë për të qëlluar nga muri që rrethonte godinën drejt banesës.
Skema e ngritur në vendngjarje tregon për një dinamikë me objektiv të qartë eleminimin e shënjestrës, me precendetë të shumtë penalë pa llogaritur personat e tjerë përreth.
Gentian Bejtja u dyshua bashkë me Enver Stafukën që rezulton i zhdukur prej vitit 2015 në vjedhjen e makinës nga u qëllua kryekomisar Dritan Lamaj si dhe është shoqëruar si person që mund të kishte dijeni për dy atentate, ndaj biznesmenit të kromit Iliaz Çalit në prill 2022 dhe sulmin ndaj shtëpisë së Marklen Hakës në shtator 2019 ku mbeti e vrarë aksidentalisht halla e tij.