Vitin e kaluar në vendin tonë u goditën 40 grupe kriminale, kryesisht të lidhura me trafikun e drogës. Në krahasim me vitin 2023 rezulton që janë goditur 9 grupe të tillë më pak.
Për ekspertët, ulja e numrit ka të bëjë me disa faktorë, më kryesorja sipas tyre, largimi i krerëve të grupeve jashtë Shqipërisë.
Eksperti Faik Basha thotë se grupet kriminale pezullojnë edhe aktivitetin e tyre kriminal për një farë kohe, për shkak të informacioneve që marrin se mund të goditen.
“Nuk mund të flasim vetëm si ulje e grupeve, nuk mund të flasim si ulje e fuqisë goditëse e institucioneve ligjzbatuese, por janë një sërë elementësh që ndikojnë në këto lloj luhatjesh, ulje dhe ngritje të goditjeve të grupeve kriminale.
E para është herë bashkimi i këtyre grupeve në një sindikatë të vetme, në një mision të vetëm dhe në një bashkim territoresh për të kryer aktivitete kriminale. Herë ka pasur ndarje të këtyre grupeve për shkak të përplasjeve për çështje interesi dhe ekonomike brenda aktivitetit të grupeve kriminale. Kemi pasur spostime të këtyre grupeve kriminale, por kemi pasur edhe largime të tyre drejt Dubait që ka bërë të mundur të ulet dhe niveli i goditjeve apo numri i grupeve të goditur nga institucionet ligjzbatuese”, tha Faik Basha, ekspert.
Eksperti Fatjon Softa shprehet se një ndër faktorët e uljes së numrit të ndëshkueshmërisë ka të bëjë edhe me fazën e hetimeve, për shkak se një hetim mund të dojë muaj apo vite deri në fazën e goditjes.
“Nëse këto grupe kriminale janë spostuar jashtë territorit, nëse këto grupe kriminale kanë gjetur një favorizim brenda strukturës policore apo strukturave ligjzbatuese, apo ndoshta rënia e masës së kultivimit të lëndëve narkotike si rrjedhojë e goditjes së forcës policore. Mund të jemi në fazën e hetimit të këtyre aktiviteteve të këtyre personave, që ndoshta për një farë kohe mund ta kenë spostuar aktivitetin edhe jashtë territorit shqiptar. Janë grupe mobile që lëvizin nga jashtë në territor dhe nga territori jashtë. Sepse në fund të fundit, të paktën drogat e forta përveç kanabisit janë aktivitete që më shumë i kanë zhvilluar në territoret e huaja”, tha Fatjon Softa, ekspert.
Sipas të dhënave, grupet kriminale janë evidentuar në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.