Kritiku i qeverisë ruse Aleksej Navalni është në pavionin e reanimacionit të një spitali në Siberi. Ai është në gjendje të rëndë, konfirmoi kryemjeku i klinikës.
“Jam e sigurt se e kanë helmuar me qëllim,” i tha zëdhënësja i Navalnit Kira Jarmish stacionit radio Echo Moswky. Aleksej Navalni papritmas u sëmur në një fluturim për në Moskë nga qyteti siberian i Tomskit, kishte njoftuar më parë zëdhënësja në Twitter. Avioni u ul në qytetin siberian të Omskit dhe 44-vjeçari u dërgua në spital. Atij i dhanë frymëmarrje artificiale dhe kishte humbur vetëdijen.
“Ai është në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme,” konfirmoi një mjek që kujdeset për të për gazetarët. Ai nuk dha detaje në lidhje me diagnozën. “Helmimi është një mundësi.”, tha ai. Sipas zëdhënëses së tij, Navalni ishte në rrugën e kthimit për në Moskë pas një vizite kërkimore në Siberi. Sipas saj, ai mund të ketë pirë çaj me helm. Kjo ishte e vetmja gjë që kishte gëlltitur ai. Sipas Jarmyschit, Navalni e kishte humbur vetëdijen në aeroplan.
Spitali në Omsk
Ajo i kërkoi policisë të vinte në spital. Mjekët qenë shumë të mbyllur dhe nuk i jepnin informacion. As mjekja e besuar e Navalnit në Moskë nuk është informuar për gjendjen e tij.
Një incident i ngjashëm një vit më parë
Navalni është njëri nga krerët e opozitës liberale në Rusi dhe një nga kritikët më të spikatur të Presidentit Vladimir Putin. Edhe në të kaluarën thuhet se janë bërë përpjekje për atentate ndaj tij. Sipas zëdhënëses së tij, ky është rasti i katërt dhe më seriozi deri tani. Dy herë ka pasur atentate ku e kanë goditur me bojë – një herë i kanë shkaktuar probleme për sytë dhe rrezik për humbjen e dritës së syve.
Navalni ka shumë armiq
Navalni ka shumë armiq brenda elitës politike dhe ekonomike të Rusisë. Fondacioni i avokatit në mënyrë të përsëritur ka zbuluar raste të korrupsionit dhe stilit të jetesës dekadent të përfaqësuesve të aparatit rus të pushtetit. Për këtë qëllim, ai publikon kërkime të hollësishme në rrjetet sociale, ku arrin një audiencë prej miliona vetësh. Navalny ka organizuar vazhdimisht protesta mbarëkombëtare në vitet e fundit. Dhjetëra mijëra vetë e kanë ndjekur thirrjen e tij – kryesisht të rinj.