Rritja e çmimeve të shportës është kthyer në një problem për qytetarët shqiptarë, pasi rëndon në xhepat e tyre. Sikur mos të mjafton kjo, Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në deklaratë për mediat paralajmëroi ardhjen e krizës energjetike.
Ndërkohë deputeti i PD, Flamur Hoxha në një intervistë që për Ora News,me gazetaren Matilda Mcini, shprehet se sot kur vendi është në një situatë të tillë duhet të bëhet i mundur tatimi i vlerës së shtuar të diferencuar.
Flamur Hoxha: Qeverisja aktuale erdhi në pushtet duke premtuar uljen e çmimeve të shportës, dhe gjatë këtyre 8 viteve s’ka pasur rritje pagash. Kemi arritur në atë pikë, ku pjesa më e madhe e popullsisë me pagat që marrin nuk përballojnë dot shpenzimet e jetesës. Nuk duhet që të ishte ky mandat i tretë. Ne kishim një program për këto familje në nevojë. Nëse sot PD do ishte në pushtet do të flisnim për politika të ndryshme. Ne duhet të kemi përgjegjshmëri në lidhje me atë se çfarë kemi ofruar, në të gjithë fushatat. Sot më shumë se kurrë duhet që të paktën një nga nismat për të bërë të mundur një tatim të vlerës së shtuar të diferencuar. Kjo do të ishte ajo që ne shohim ndjejmë dhe kemi prekur dhe vendet e zhvilluar të rajonit.
Për Hoxhën, ulja e TVSH në 6% do të shërbejë për të frenuar nivelin e çmimeve. Ai thotë se shqiptarët sot nuk kanë minimumin jetik, ndërsa shton se Shqipëria ndodhet në udhëkryq.
Flamur Hoxha: Ulja e TVSH në 6% mund të shërbejë për të frenuar nivelin e çmimeve. Një qeverisje që ka primare nevojat e qytetarëve merr gjithë përgjegjësinë dhe bën të pamundur që të implementojë politika që janë të realizueshme. Ne nuk po kërkojmë diçka që nuk e kanë bërë vendet e zhvilluara apo vendet e rajonit. Ne kemi Italinë që e ka 6% TVSH për produktet bazike.
Ka 8 vite në pushtet dhe ende nuk ka bërë të mundur që diferencojë shumë produkte bazë. Ne nga pikëpamja e kërkesës apo ligjeve ne ia kemi kaluar edhe BE. Ne nuk marrim përgjegjësinë për të implementuar ligjet që bëjnë të mundur implementimin e TVSH. Shqipëria ndodhet në udhëkryq, shqiptarët sot kanë minimumin jetik. Duket e pabesueshme që në vitin 2021, ne të diskutojmë për nevojat bazike, për të jetuar. Në shumë familje në çdo cep të Shqipërisë, kemi akoma ushqim me lista.
Deputeti thotë se është shokuar me deklaratën që bëri Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, ku paralajmëroi krizën e energjisë. Ai shprehet se një lider duhet të menaxhojë situatën dhe të gjejë mundësitë për të përballuar.
Flamur Hoxha: Unë u shokova nga deklarata e Ramës, për një ‘pandemi’ tjetër. Një lider nuk duhet ta jap veten por duhet të menaxhojë situatën me të gjithë burimet dhe mundësitë, për ta përballuar edhe këtu. Ne kishim në program, fashën mbrojtëse me çmim preferencial për familjet në nevojë. Do ndihmonte familjet në nevojë por nga ana tjetër ulej konsumi. Kjo nismë do të ishte e realizueshme nëse ne do të kishim ardhur në qeveri. Sot jemi në krizë të dyfishtë. Në shumë fshatra nuk ka investime në shumë fshatra.
Më tej thekson se Shqipëria ka mjaft burime për të përballuar konsumin e energjisë elektrike, por sipas tij në vend ka abuzime.