Kriza e naftës: Skenarët e këqij, shumë të këqij dhe katastrofikë…

albnews
By
7 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!
[vplayer id=”181117″]

Si po dikton konflikti në Gjirin Persik rritjen eksponenciale të çmimeve të naftës dhe pse ekspertët parashikojnë një skenar çmimesh 3-shifrore, që mund të gjunjëzojë ekonominë globale…

Të thuash se kjo është një pyetje prej një milion dollarësh është një nënvlerësim i skajshëm; vlera e saj reale llogaritet në mijëra trilionë dollarë. Pyetja që bankat qendrore, qeveritë, fondet sovrane dhe investitorët po bluajnë pa pushim që nga fillimi i tensioneve me Iranin, mbetet ende papërgjigje: sa e ashpër dhe sa afatgjatë do të jetë bllokada e Ngushticës së Hormuzit?

Për herë të parë në histori, trafiku detar po ndalet në pikën më strategjike të botës për lëvizjen e naftës, gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe karburanteve. Një bllokim i tillë nuk kishte ndodhur kurrë, as gjatë krizave të famshme të viteve 1970.

Sot jemi në një terren të panjohur, ku ndikimi i mundshëm mund të jetë tre herë më i madh në shkallë sesa embargoja arabe e vitit 1973 apo problemet e furnizimit në vitin 1979 pas Revolucionit Iranian.

Aktualisht, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka bllokuar kalimin e anijeve tregtare përmes Hormuzit. Pesë cisterna nafte janë shënjestruar tashmë nga dronët e Teheranit, ndërsa uzinat dhe rafineritë në Arabinë Saudite dhe Katar janë sulmuar.

Riadi ka mbyllur rafinerinë “Ras Tanura”, e cila përpunon 500.000 fuçi në ditë, ndërsa Doha ka pezulluar prodhimin e LNG-së dhe derivateve të saj si ureja e polimeret. Iraku ka reduktuar prodhimin e naftës bruto në fushën Rumaila me 700.000 fuçi në ditë dhe ka njoftuar se rënia e prodhimit ditor do të amplifikohet më tej nëse cisternat nuk mund të lëvizin lirshëm.

Gjigantët e transportit detar si MSC, Maersk, CMA CGM, Hapag-Lloyd dhe Cosco kanë pezulluar tranzitin në Gjirin Persik deri në zbutjen e tensioneve. Shqetësimi kryesor nuk janë raketat, por dronët iranianë, të cilët janë më të vështirë për t’u zbuluar dhe asgjësuar me armë kundërajrore.

Pesha e kësaj pike gjeopolitike është marramendëse: 20 për qind e tregtisë globale të naftës bruto kalon përmes Hormuzit, bashkë me një sasi të ngjashme të gazit të lëngshëm. Blerësit kryesorë janë tregjet aziatike, të udhëhequra nga Kina.

Për Evropën, edhe pse vetëm 9 për qind e furnizimeve me naftë bruto kalojnë përmes kësaj gryke, situata bëhet kritike te produktet e rafinuara, ku 40 për qind e importeve të naftës dhe karburantit të avionëve për BE-në varen direkt nga ky kalim.

Agjencitë e vlerësimit si S&P dhe Moody’s, theksojnë se një ndërprerje e zgjatur jo vetëm që do të stabilizonte çmimin mbi 100 dollarë për fuçi, por do të krijonte një presion të madh në kanalet e kreditit, duke nxitur rrezikun e një tronditjeje financiare globale.

Historia na kujton se në vitin 1973, shtetet arabe të OPEC-ut ulën prodhimin si hakmarrje për mbështetjen amerikane ndaj Izraelit, duke e detyruar presidentin amerikan Richard Nixon të zbatonte programe racionimi.

Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 1979 me Revolucionin e Khomeinit. Megjithatë, kurrë më parë tregtia nuk është bllokuar plotësisht siç po ndodh këto ditë. Edhe pse Donald Trump ka deklaruar se Marina Amerikane mund të shoqërojë cisternat, ekspertët e Ëall Street Journal mbeten skeptikë.

Kapaciteti i Marinës është i kufizuar përballë volumit masiv të anijeve, ndërsa garancitë federale të sigurimit nuk mbulojnë vlerën e plotë të ngarkesave, dëmet nga vonesat apo kostot e devijimeve.

Pa ndalimin e sulmeve të Teheranit kundër infrastrukturës, vështirë se operacionet e rafinimit dhe ngarkimit do të rifillojnë me kapacitet të plotë. Si një rrugë alternative, Riadi po përpiqet të shfrytëzojë tubacionin Lindje-Perëndim që përfundon në Detin e Kuq, por sulmet e dështuara ndaj rafinerisë “Ras Tanura” tregojnë se zemra e sistemit energjetik saudit mbetet nën rrezik.

Analistët e Goldman Sachs, parashikojnë se nëse vëllimet mbeten të pandryshuara edhe për pesë javë, çmimi i naftës në bursën Brent do të arrijë menjëherë 100 dollarë. Strategët e JPMorgan, shtojnë se nëse konflikti zgjat mbi tre javë, prodhuesit do të mbushin kapacitetet magazinuese dhe do të detyrohen të ndalojnë prodhimin, duke e çuar çmimin në nivelin 100-120 dollarë.

Saul Kavonic, një nga ekspertët kryesorë të energjisë, beson se një bllokim i plotë që zgjat disa javë mund të ketë një ndikim tre herë më të madh se krizat e rënda të viteve 1970. Ai paralajmëron se mbi 100 milionë fuçi mund të mos arrijnë në tregje, çka do t’i shtynte çmimet drejt shifrave treshifrore.

Sot, tregu i naftës është global dhe shumë i financuar. Paqëndrueshmëria përhapet me shpejtësi të menjëhershme në çdo moment, prandaj, edhe tronditjet e vogla të furnizimit shkaktojnë rritje eksponenciale të çmimeve në pikat e karburanteve.

Në kushtet kur ekonomia amerikane përballet me rritje të ngadaltë dhe inflacion të lartë, një mbyllje totale do të thoshte humbje prej 20 milionë fuçi nafte në ditë, duke e çuar botën drejt një epoke të re stagflacioni.

Në fund, gjithçka varet nga evolucioni i konfliktit. Ndërkohë, tonet nga Teherani mbeten sfiduese. Garda Revolucionare ka deklaruar kontrollin e plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe parashikon që çmimi i naftës do të arrijë së shpejti 200 dollarë.

Ata paralajmërojnë se çdo lëvizje e SHBA-së në rajon, do të sjellë shkatërrimin e plotë të infrastrukturës ushtarake dhe ekonomike. Bota mbetet në pritje, në një gjendje pezull mes një krize të menaxhueshme dhe një katastrofe energjetike që mund të riformësojë stukturën e ekonomisë globale brenda pak javësh./“Huffington Post Italia”

Share This Article