Katër vende të rëndësishmë, India, Brazili, Gjermania dhe Japonia, kanë parashtruar kërkesën e tyre për reforma të këtij organi të rëndësishëm ndërkombëtar. Ministrat e jashtëm të vendeve përkatës kërkuan reforma në tre nga organet kryesore të Kombeve të Bashkuara.
Deklarata e përbashkët e tyre shkruan se bota e sotme është shumë e ndryshme nga ajo kur Kombet e Bashkuara u krijuan, 75 vjet më parë. Ka më shumë shtete, më shumë banorë, më shumë sfida, por edhe më shumë mundësi zgjidhjeje të problematikave. Metodat e punës duhet të mbajnë ritmin e zhvillimit dhe të përshtaten, shkruajnë në kërkesën e tyre zyrtarët e lartë.
Ministrat theksuan urgjencën e reformimit të Kombeve të Bashkuara dhe përditësimin e organeve të tij kryesore vendimmarrëse, në mënyrë që të pasqyrohen sa më mirë realitetet bashkëkohore.
Deklarata e Përbashkët kërkon reformim të Këshillit të Sigurimit, një zgjerim të tij, për ta bërë këtë organ më përfaqësues, legjitim dhe efektiv. Për Gjermaninë, Indinë, Japoninë dhe Brazilin, kjo reformë do të rrisë kapacitetin e Këshillit për t’u marrë me sfidat komplekse me të cilat përballet bota sot në çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ata nënvizuan se Afrika duhet të përfaqësohet si në organet e përhershme ashtu edhe ato jo të përhershme.
Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 5 shtete të përhershme, SHBA-të, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina, si edhe 10 shtete të zgjedhura që kanë ulëse për një mandate dy vjeçar.

