Mbi 100 mijë persona janë larguar nga Sudani që nga nisja e përplasjeve masive mes forcave rivale më 15 prill. Shifrat i ka bërë të ditura Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, zyrtarët paralajmërojnë një katastrofë në shkallë të gjerë nëse luftimet nuk përfundojnë.
Po ashtu, OKB vlerëson se brenda Sudanit janë zhvendosur 334 mijë persona. Luftimet po vijojnë në kryeqytetin Khartoum mes ushtrisë dhe paramilitarëve të Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, pavarësisht se aktualisht është në fuqi një armëpushim.
Po bëhen përpjekje diplomatike për t’i ulur palët në tryezën e negociatave, por deri më tani pa rezultat.
Të martën, ministria e jashtme e Sudanit Jugor tha se ushtria dhe RSF kishin rënë dakord “në parim” për një armëpushim të ri shtatë-ditor nga 4 maji dhe kishin premtuar të dërgonin përfaqësues në bisedime.
Nëse zhvillohen bisedime, do të ishte takimi i parë mes dy palëve që nga fillimi i konfliktit.