Britania e Madhe po konsideron të bëjë një vendosje të forcave të armatosura të saj në gjithë Evropën, si pjesë e një plani për të forcuar kufijtë evropianë në përgjigje të Rusisë, e cila ka grumbulluar trupa në kufirin me Ukrainën.
Siç ka deklaruar qeveria e këtij vendi të shtunën, çdo inkursion rus në Ukrainë do të përballej me sanksione të shpejta dhe do të ishte shkatërruese për të dyja palët.
Kryeministri Boris Johnson do të vizitojë rajonin javën e ardhshme dhe gjithashtu do të flasë me Vladimir Putin me telefon.
Johnson po shqyrton ofertën më të madhe të mundshme për anëtarët e paktit të mbrojtjes së NATO-s në vendet nordike dhe baltike, që do të dyfishonte numrin e trupave dhe do të dërgonte armë mbrojtëse në Estoni.
“Kjo paketë do t’i dërgonte një mesazh të qartë Kremlinit se ne nuk do të tolerojmë aktivitetin e tyre destabilizues dhe do të qëndrojmë gjithmonë me aleatët tanë të NATO-s përballë armiqësisë ruse,” tha Johnson në një deklaratë. “Kam urdhëruar Forcat tona të Armatosura të përgatiten për t’u vendosur në të gjithë Evropën javën e ardhshme, duke u siguruar që ne jemi në gjendje të mbështesim aleatët tanë të NATO-s”, shtoi ai, raporton Reuters.
Johnson i cili është përballur me kritikat për mosgatishmërinë e mjaftueshme, do të udhëtojë për së dyti herë për të takuar homologët e NATO-s në fillim të muajit të ardhshëm, njofton zyra e tij.
Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Britanisë do të shkojnë gjithashtu në Moskë për bisedime me homologët e tyre rusë në ditët në vijim, me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të ulur tensionet.




