Kroacia do të dërgojë në fund të dhjetorit ftesat e para për qytetarët e rinj për kontrolle shëndetësore, në kuadër të rikthimit të shërbimit bazë ushtarak, për herë të parë pas 17 vitesh, njoftuan burime nga Ministria kroate e Mbrojtjes (MORH).
MORH do të dërgojë më 29 dhe 30 dhjetor midis 1.200 dhe 1.300 ftesa. Kontrollet do të fillojnë në gjysmën e dytë të janarit në qendrat ushtarako-shëndetësore në Zagreb dhe Split, me transport të organizuar për kandidatët nga qytete të tjera.
Ftesat u dërgohen djemve të lindur në vitin 2007. Ata që i kalojnë kontrollet do të marrin thirrje për një trajnim ushtarak dymujor në Knin, Slunj dhe Požega, i cili fillon më 1 mars. Rekrutët do të marrin një kompensim prej rreth 1.100 eurosh, do të fitojnë njohuri bazë ushtarake dhe do të kenë përparësi në punësim në administratën shtetërore dhe lokale.




