Kroacia ky shtet me rreth katër milionë banorë krahas futjes në përdorim të monedhës euro hyri zyrtarisht edhe në zonën Shengen pa viza të Evropës gati një dekadë që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).
Hyrja në zonën Shengen shihet gjerësisht si një zhvillim pozitiv në Kroaci, ku turizmi nga vendet fqinje evropiane është një shtyllë kryesore e ekonomisë, adoptimi i euros ka çuar në debate të ashpra, veçanërisht përballë një rënieje ekonomike globale.
Mallrat në dyqanet dhe në supermarketet kroate janë treguar si në kuna ashtu edhe në euro për gjashtë muajt e fundit ndërsa vendi përgatitej të kalonte plotësisht në euro. Disa pronarë biznesesh e shohin këtë si një mundësi për të arritur në tregje të reja.
“Në 20 vitet e fundit e gjithë tregtia është kryer në euro. Në fakt askush në këtë periudhë nuk ka folur për kredi apo për blerje apartamentesh në monedhën vendase kuna por vetëm në euro. Pra tregu ishti gati për këtë ndryshim dhe thjesht kjo do ta bëjë tashmë më të lehtë të bërit biznes”.
Ekspertët thonë se adoptimi i plotë i euros do t’i japë fund konfuzionit rreth transaksioneve të monedhës dhe do t’i bëjë gjërat më të thjeshta për tregtarët dhe konsumatorët kroatë.
“Besoj se llogaritë do të bëhen më të thjeshta pasi gjithçka do të jetë në euro si ato të qeverisë, të privatit, të gjendjes bankare. Shpresoj se lëvizja drejt euro-s do të na sjellë më pak shkresa dhe burokraci”.
Jo të gjithë besojnë se heqja e monedhës kombëtare është masa më e mirë, me shumë të shqetësuar se çmimet do të rriten pasi shitësit me pakicë mbledhin çmime të reja në euro pas konvertimit nga kuna.
“Në këtë kohë të trazirave ekonomike globale, mbajtja e kontrollit të monedhës vendase të Kroacisë duhet të ishte prioritet. Tani shtrohet pyetja pse vendet më të zhvilluara se Kroacia dhe më të përgatitura për anëtarësim në Eurozonë si Hungaria, Çekia, Polonia as që mendojnë të adoptojnë euron! Pse? Sepse në kushtet e tanishme destabilizuese gjeopolitike, gjëja më e rëndësishme është të mbani monedhën tuaj kombëtare në mënyrë që të kontrollojme krizën”.
Përdorimi i euros do t’i ndihmojë Kroacisë që të ruajë ekonominë në kohën kur inflacioni është rritur në mbarë botën pas pushtimit rus të Ukrainës, që ka rritur çmimet e ushqimit dhe karburanteve. Në kete shtet rreth 80 për qind e depozitave bankare janë në euro. Të dy monedhat do të përdoren krahas njëra-tjetrës për një periudhë prej dy javësh.
Niveli i inflacionit në Kroaci në nëntor arriti në 13.5 për qind, që është nivel më i lartë krahasuar me 10 për qind inflacion në Eurozonë. Nderkaq me hyrjen e Kroacisë në zonën më të madhe pa kufij në botë, hiqen kontrollet kufitare me të gjitha vendet e BE-së, ndërsa kufijtë me Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi bëhen kufijtë e jashtëm të BE-së.