Kroacia do të jetë një prej kundërshtarëve të Sh qipërisë në Grupin B të Europianit në Gjermani. Më 19 qershor, kuqezinjtë do të sfidojnë kombëtaren ballkanike për herë të parë në histori. Në përgjithësi, shteti shqiptar ka pasur marrëdhënie të mira me atë kroat ndër vite, por edhe në futboll, kanë qenë të shumtë futbollistët kroatë që kanë luajtur në Shqipëri, apo edhe e kundërta.
Për shumë lojtarë shqiptarë, kampionati kroat ka shërbyer si një trampolinë për t’u hedhur në një kampionat më elitar apo skuadër më të njohur. Që pas viteve 90 ka filluar kalimi nga Shqipëria i lojtarëve si Eduard Abazi, Edmond Dosti, Ylli Shehu, Besnik Prenga, Ardian Aliaj apo më vonë edhe Erjon Bogdani për në Kroaci.
Më tej, të gjithë futbollistët e përmendur janë transferuar në një kampionat tjetër, ku më në zë, Bogdani nga NK Zagrebi te Rexhina apo Aliaj nga Hajduk Spliti te Standart Liezhi në Belgjikë.
VITET E FUNDIT
Por, jo vetëm ta, pasi edhe në vitet e fundit ka pasur shumë lojtarë shqiptarë që kanë dalluar në kampionatin kroat dhe që aty janë shitur në klube të njohura. Mjafton të marrim disa shembuj, me Odise Roshin apo Bekim Balajn të cilët kanë kaluar të dy në vitin 2016-n nga Rijeka te Terek Grozni në Rusi. Roshi u shit për 500 mijë euro ndërsa Balaj për 2 milionë. I bujshëm ka qenë edhe transferimi i Ardian Ismajlit nga Hajduku te Specia në Itali për shifrën e 2.2 milionë eurove.
Ndërkohë, Amir Rrahmani i cili është shpallur edhe kampion i Serisë A, pas Partizanit në Superiore, luajti për tri sezone në Kroaci, aty ku në vitin 2019 nga Dinamo e Zagrebit u shit për 2.1 mln euro te Verona. Nuk mbarojnë me kaq, edhe Sokol Cikalleshi i dha 1.8 mln euro RNK Splitit, pasi në 2015-n kaloi te Bashakshehiri. Me të njëjtën vlerë është shitur edhe Myrto Uzuni, pasi shkëlqeu me Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi firmosi për Ferencvaroshin në Hungari në 2020-n. Eros Grezda arriti që të bindë Rejnxhërsin që të shpenzonte 2 milionë euro në vitin 2018, kur ish-lojtari i Kombëtares luante për Osijekun.
Po ashtu më parë, Emiljano Vila ka kaluar nga D.Zagrebi te Pas Janina në Greqi, ndërsa Endri Çekiçi po nga i njëjti ekip u transferua për 200 mijë euro te Olimpija Ljubljana. Mbrojtësi i Tiranës, Albi Doka, u shit nga Gorica drejt Honvedit në Hungari. Ndërkohë, në shtator të 2022-it, Panathinaikosi pagoi 1 milionë euro drejt Lokomotiva Zagrebit për shërbimet e Enis Çokajt.
Mesfushori është ende pjesë e klubit grek. Dy shitjet e fundit nga kampionati kroat i futbollistëve shqiptarë janë: Indrit Tuci nga L.Zagrebi drejt Spartës së Pragës për 1 milionë euro një javë më parë dhe Jorgo Pëllumbi nga Varazhdin te Debreceni për 115 mijë euro.