Për t’i rritur shanset për të kaluar tutje në Kampionatin Evropian, Kroacia duhet t’i bëjë dy gjëra – të sulmojë më shumë dhe ta ndalë sulmuesin e Çekisë, Patrik Schick.
Nën presion për t’u paraqitur sa më mirë në “Euro 2020”, pasi shkoi deri në finale të Kupës së Botës tri vjet më parë, Kroacia u duk e ngathët në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Humbi nga Anglia, 1:0.
Zëvendëstrajneri i Kroacisë, Vedran Çorluka, ka kërkuar nga skuadra që të jetë “më e rrezikshme” dhe të “sulmojë mençur”, në ndeshjen e Grupit D kundër Republikës Çeke, në “Hampden Park” të premten nga ora 18:00.
“E dimë së fundmi se problemi është përfundimi i aksioneve”, ka thënë Çorluka. “Po punojmë që ta përmirësojmë këtë për ndeshjen tjetër. Besoj se do të jemi shumë më të mirë e më të rrezikshëm”.
Çorluka e di se kundërshtari i ardhshëm i Kroacisë është shumë i mirë dhe i paparashikueshëm. Ai luajti në qendër të mbrojtjes kur Kroacia pati avantazh prej dy golave dhe e humbi mundësinë për të fituar kundër çekëve në fazën e grupeve në “Euro 2016”, në duelin që përfundoi 2:2.
Ai mendon se kësaj radhe kundërshtarët çekë janë më të mirë.
“Çekët kanë ekip shumë më dinamik, shumë më të shpejtë dhe do të jetë e vështirë për ne”.
Rreziku më i madh për kroatët vjen nga Schicku, i cili shënoi dy herë në fitoren 2:0 kundër Skocisë të hënën, përfshirë edhe golin thuajse nga gjysma e fushës kur e zuri portierin larg nga porta.
Kroacia nuk po planifikon që ta ndërrojë vendosjen defensive për t’u përballur me Schickun.
“Nuk do ta markojmë në veçanti atë, sepse ne kurrë nuk e kemi bërë një gjë të tillë dhe nuk do ta bëjmë të premten”, tha Çorluka.
Lojtarët e tjerë çekë të cilët Kroacia do të mundohet t’i mbajë të heshtur janë mesfushorët Jakub Jankto, të cilin Çorluka e përshkruan si “të shpejtë e dinamik”, pastaj Vladimir Darida, Tomas Soucek dhe Alex Kral.
“Ata janë të rrezikshëm kur shkojnë përpara dhe ne nuk do të ngutemi t’i marrim pikët e plota nga fillimi”, tha Çorluka. “Duam të fitojmë, por do të provojmë ta arrijmë atë në mënyrë më të qetë, pa lënë hapësira për çekët në kundërsulme apo në situata të rrezikshme”.
Te Kroacia, organizatori Luka Modriq do të duhet të gjejë lojën e vet pasi nuk shkëlqeu kundër Anglisë në “Wembley”. Ai u detyra të shkojë më prapa nga mbrojtja angleze, situatë të cilën duhet ta shmangë kundër çekëve.
Megjithatë, lojtarët e Çekisë nuk mendojnë se 35-vjeçari Modriq, i cili e fitoi Topin e Artë në vitin 2018, e ka humbur freskinë apo aftësinë për ta diktuar lojën në mesfushë me pasimet e tij dhe vizionin.
“Ai është lojtar i shkëlqyer dhe vazhdon ta dëshmojë në secilën ndeshje”, tha portieri i Çekisë, Tomas Valcik. “Ai ka arritur kaq shumë”.
Mbrojtësi i Çekisë, Ondrej Celustka, tha se “Modriqi është truri i kroatëve, do të ketë shumë topa dhe do të mundohet t’i shmangë lojtarët të cilët e ruajnë”.
Pasi e mposhtën Skocinë në ndeshjen e parë, çekët shkojnë në duelin e së premtes me vetëbesim. Prijnë në Grupin D falë goldallimit më të mirë dhe synojnë të kualifikohen në 1/8 e finales.
“Nuk do të rrezikojmë dhe të luajmë për barazim”, tha zëvendëstrajneri i Çekisë, Jiri Chrytry. “Është e pamundur ta bëjmë atë. Do të hyjmë në fushë të vendosur për të fituar”.