Futbollistët e Kroacisë nuk e kanë ndërmend të ulen në njërin gju përpara ndeshjes së tyre të parë në “Euro 2020”, që e luajnë të dielën kundër Përfaqësueses së Anglisë. Kroacia, që doli nënkampione e Botës në turneun e vitit 2018, nuk po planifikon të veprojë sikurse Anglia, që tashmë ka konfirmuar se para çdo ndeshjeje në “Euro 2020” do ta bëjë këtë gjest për ta promovuar barazinë racore.
Zëdhënësi i Përfaqësueses së Kroacisë, Tomislav Pacak, ka konfirmuar se futbollistët kroat nuk do të ulen në njërin gju përpara ndeshjes së Grupit D të dielën. Pacak ka thënë se protokollet e UEFA-s askund nuk përmendin se lojtarët duhet të ulen në njërin gju para ndeshjeve dhe insistoi se organi qeverisës i futbollit evropian është kundër futjes së politikës në sport. Në fakt, ky qëndrim edhe pritej nga Kroacia, duke pasur parasysh se lojtarët e saj nuk u ulën në njërin gju sikurse ata të Belgjikës në ndeshjen e fundit miqësore para Evropianit, i cili nis më 11 qershor.
“Lojtarët tanë nuk do të ulen në njërin gju para ndeshjes me Anglinë. Ne jemi të vendosur për këtë”, tha shkurt Pacak.
Për dallim prej Kroacisë, dy kundërshtarët e tjerë të Anglisë në fazën e grupeve, Skocia e Çekia, ende nuk kanë marrë një vendim të prerë në lidhje me këtë çështje. Në të dyja kampet kanë bërë të ditur se do të diskutojnë edhe me lojtarët përpara se të vendosin përfundimisht. Si te Skocia, ashtu edhe te Çekia, kanë thënë se së shpejti do të njoftojnë nëse do të ulen në njërin gju para ndeshjes me Anglinë.
“Kjo është një bisedë të cilën do ta bëj me lojtarët pak para ndeshjes së parë që do ta luajmë në Evropian. Kështu që, së bashku do të vendosim nëse do të ulemi në njërin gju apo jo. Pra, a do të ulemi vetëm para ndeshjes me Anglinë apo para të gjitha dueleve tjera që do t’i luajmë”, ka thënë Steve Clarke, përzgjedhësi i Skocisë.
Në muajin mars, futbollistët e Skocisë qëndruan në këmbë derisa ata të Austrinë u ulën në njërin gju para ndeshjes të luajtur në stadiumin “Hampden Park”. Edhe te Çekia kanë njoftuar se vendimin do ta marrin para ndeshjes së parë, të cilën do ta luajnë të hënën kundër Skocisë. Megjithatë, çekët në ndeshjet e muajit mars u paraqitën me shiritin që kishte mbishkrimin “UEFA Respect” në fanella, që ishte një shfaqje alternative e solidaritetit me kauzën për barazi gjinore. Kështu që gjasat janë të mëdha që Çekia këtë gjest ta përsërisë edhe në ndeshjet e Kampionatit Evropian.
“Deri në fund të kësaj jave nuk do të marrim një vendim në lidhje me këtë çështje. Ka gjasa që të veprojmë sikurse në ndeshjet e muajit mars. Mbetet të shihet, pasi ky është një vendim i gjithë ekipit tonë”, ka thënë njëri prej zyrtarëve të Përfaqësueses së Çekisë.
Futbollistët e Anglisë, në ndeshjet miqësore para Evropianit, e kanë konfirmuar uljen në njërin gju të lojtarëve. Këtë veprim e kanë bërë edhe në dy ndeshjet miqësore, ndonëse janë vërshëllyer nga disa prej tifozëve. E, pavarësisht reagimeve negative, tek Anglia janë të vendosur që të veprojnë në të njëjtën mënyrë edhe në ndeshjet e Kampionatit Evropian.
“Gjëja më e rëndësishme është se në të gjithë jemi të bashkuar në lidhje me këtë çështje dhe do ta përkrahim njëri-tjetrin. Ne ndihemi më shumë se kurrë të vendosur për t’u ulur në njërin gju para ndeshjeve të Evropianit. Ne e pranojmë që mund të ketë reagime negative, por thjesht do t’i injorojmë ato”, ka insistuar përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate.
Ulja në njërin gju ka të bëjë me protestat “Black Lives Matter” në gjithë botën, që u bënë pas vrasjes së George Floydit nga një oficer i policisë në muajin maj të vitit të shkuar. Megjithatë, te Përfaqësuesja e Anglisë kanë insistuar se ulja në njërin gju para ndeshjeve të “Euro 2020” ka të bëjë më shumë me promovimin e barazisë sesa me ndonjë lëvizje politike.