Protesta e sotme në Tiranë ishte e organizuar si marshim dhe zgjati 3 orë. Shpeshherë të rinjtë u shtrinë në rrugë, mesazh i qartë që në protestë nuk do të kishte akte dhune.
Policia përpoq të shpërndante të rinjtë, me arsyen se protesta është e paligjshme. Por me thirrjet “drejtësi për Klodianin”, tubuesit marshuan drejt kryeministrisë. Kërkuan lirimin e të arrestuarve në Tiranë dhe në rrethe.
Qëndruan për pak minuta, të ulur para selisë së qeverisë. Krah për krah njëri tjetrin, iu drejtuan drejtorisë së policë së Tiranës. Në urën pranë saj, protestuesit u pritën nga një kordon i forcave speciale.
Pas disa goditje me sende të forta, policia u lëshoi ujë me presion dhe pas disa sekondave, gaz lotsjellës.
Ata u shpërndanë në rrugë të ndryshme të zonës së ish Bllokut. Nuk munguan incidentet, kryesisht u dëmtuan tabelat e sinalistikës rrugore. Policia ndoqi për shumë minuta grupet e protestuesve për të shmangur incidentet.
Protestuesi u kthyen, në sheshin “Skërderbej”.Tentuan të shkatërronin pemën, por nuk mundën. Policia përdori sërish gazin lotsjellës.
Pas rreth tre orësh përfundoi aty ku nisi. Kjo ishte protesta e pestë në Tiranë që pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie në datë 8 dhjetor./Abcnews.al/