Cristiano Ronaldo nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin aktual me Manchester United teksa vetëm në një prej pesë ndeshjeve ka startuar si titullar. Megjithatë, luzitani është treguar i gatshëm sa herë është thërritur në apel ndërsa tashmë që merkato përfundoi, gjithë energjia e CR7 do të përqendrohet në kontributin për trajnerin Erik ten Hag.
Së fundmi, Toni Kroos i cili ka ndarë shumë vite dhe trofe me 37-vjeçarin te Real Madrid, kujton për të gjithë ata që ndoshta kanë harruar se kush është Cristiano Ronaldo.
“Ju nuk e keni idenë se sa punon Cristiano Ronaldo për të qenë ai që është. E shihni vetëm në ndeshjet e fundjavës dhe më pas kur kthehet në shtëpi me Ferrarin e tij, si dhe kur shfaqet në posterat e mëdhenj. Por, ju nuk shihni sa investon Ronaldo në çdo ditë për të qëndruar i përgatitur në aspektin fizik, por edhe për t’u përmirësuar.
Vetëm shikojeni pak, është 37-vjeç. Mos u ndalni vetëm te paraqitja fizike, por edhe te mënyra si luan futboll. Ai përkujdeset çdo ditë për formën e tij, e bën këtë në stërvitje, në shtëpi dhe duke ndjekur një dietë të rreptë. Ai nuk ka mbërritur kaq lart në karrierë vetëm se quhet Cristiano Ronaldo, por sepse investon vazhdimisht tek vetja dhe kërkon të përmirësohet gjithnjë”, u shpreh Toni Kroos.