Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me votuesit për herë të parë në Njësinë nr. 1 në Tiranë , u ndal te 5 prioritetet e programit politik të forcës që ajo drejton.
Kryemadhi tha se 5 prioritetet janë të realizueshme në 5 muaj, dhe të gjitha fokusohen te rinia.
“Pjesa më e madhe e rinisë duan të largohen nga vendi për shkak të mungesës së punësimit, për shkak të mungesës së një pune të mirë paguar, për shkak edhe të klimës agresive ndaj të rinjve dhe të rejave, për shkak të dhunës psikologjike që ushtrohet ndaj brezit të ri. Dhe një nga pikat kryesore që ne kemi, 5 prioritetet tona që janë të realizueshme në 5 muaj, fokusohen në fakt e gjitha te rinia”, tha ajo.
Kryemadhi përmendi rimbursimin e shpenzimeve të qytetarëve 5%.”Ky do të sjellë një efekt të menjëhershëm në buxhetin e familjeve shqiptare. Dhe projekti ‘Nga bebja në bebe’ ka të bëjë me vizionin e një kombi për t’u populluar, për të ulur moshën mesatare, por edhe për ta rinuar popullsinë shqiptare janë dy ekstremet e 5 prioriteteve tona, të cilat përfshihen në një kosto zero në buxhetin e shtetit, përkundrazi rrisin të ardhurat në buxhet por edhe në xhepin e shqiptarëve dhe krijon një shpresë për të gjithë ju që sot jeni votues për herë të parë, por që nesër do të bëheni prindër”.
“Ne duhet të ndryshojmë këtë realitet në të cilin vendi ndodhet dhe të punojmë që më 25 prill të ftojmë çdo njeri që të shkojnë të votojnë. E dimë që çmimi është i shtrenjtë, por prandaj ju themi që më 25 prill të shkojmë të ndëshkojmë me votë atë që na rriti çmimin e kartës, që atë ta kthejmë në kartën e rimbursimit 5% të shpenzimeve, në mënyrë të tillë që menjëherë qytetarët ta marrin menjëherë mbrapsht atë që u takon. Ne rrimë gjithmonë me njerëzit në kontakt dhe ky është suksesi ynë”,u shpreh Kryemadhi./ATSH/