Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha sot se “fokusi ynë është punësimi, një punë e mirëpaguar, një punë e cila krijon hapësira për të rinjtë dhe të rejat, për të konkurruar në tregun e punës, për të pasur një pagë të mirë, për të pasur mundësi të mirë”.
Në një takim me banorët e njësisë 1, Kryemadhi theksoi se “vetëm duke rritur mundësinë e punësimit, mundësinë e një page të mirë, do të krijojmë edhe rritjen e standardit të jetesës”.
“Sot shqiptarët e dinë shumë mirë, paguajnë më shumë taksa, më shumë se dyfishin e taksës që paguanin 4 vite më parë. Sot shqiptarët e dinë shumë mirë që çmimi i energjisë elektrike është shumë më i shtrenjtë, që nëse ke një të sëmurë në familjen tënde ilaçet janë më shtrenjtë se 4 vite më parë, edhe pse propaganda është që i kemi pa atë TVSH-në e famshme e të tjera”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh se një sfidë tjetër është edhe të ndalojmë largimin e të rinjve dhe të rejave nga vendi.
“Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë të bukura, propagandë dhe fasadë, sot Shqipëria ka nevojë për realitet, për njerëz që janë jo vetëm vendimmarrës, por kanë edhe ide për t’i realizuar”, tha Kryemadhi./ATSH/