Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mëngjesin e sotëm është takuar me gratë në qytetin e Divjakës, ku ka folur më shumë edhe për planin politik.
Kryemadhi ka thënë se pesë prioritetet e planit të LSI duhen vendosur në zbatim menjëherë, sidomos në lidhje me punësimin në Divjakë dhe zhvillimin e sektorit të turizmit.
“Doja t’ju thosha që takimet me gratë janë shumë pozitive për mua dhe tepër motivuese gjithashtu.
Sepse për një grua sot në politikë është shumë e vështirë dhe nëse nuk do të ketë solidaritetin dhe përkrahjen e grave, e sidomos të grave të reja, e bën të pamundur misionin tonë, dhe një nga pikat tona kryesore të programit tonë është fuqizimi ekonomik i gruas.
Gruaja është themeli i një familjeje dhe po ishte gruaja e fortë, po ishte në një komoditet për të jetuar, sigurisht edhe respekti mes burrit dhe gruas do të jetë i barabartë, por nga ana tjetër edhe fëmijët do të jenë më të ndjeshëm, më të mbarë dhe do të kenë mundësinë e një edukimi dhe shkollimi më të mirë.
Ndërkohë kemi edhe 5 pikat, 5 prioritetet që ne si LSI i kemi prezantuar tashmë, dhe që janë të nevojshme për tu vënë në zbatim menjëherë.
Këtu në Bashkinë e Divjakës faktikisht është një bashki që ka mundësi punësimi dhe zhvillimi të sektorit të turizmit jashtëzakonisht të mëdha, pavarësisht se çfarë ofron bujqësia në këtë zonë, që është një tjetër prioritet për ne, të cilin ne e prekim me kartën e fermerit, me TVSH-në për prodhimet, jo përsa i përket TVSH-së direkte, por përsa i përket konsumimit që shqiptarët të hanë mirë dhe lirë”, tha Kryemadhi.