“I uroj dhe 100 bebes së sapolindur të Mirandës dhe kam besim dhe bindje që do t’i krijojmë të gjitha mundësitë Mirandës që të fokusohet tek bebja pas 30 qershorit”, ishe urimi që kryeministri bëri sot për kryebashkiaken e LSI-së, e cila është bërë nënë për herë të dytë.
Por një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila po ashtu ka qenë objekt i sulmit dhe përqeshjes së kryeministrit. Përmes një statusi në llogarinë e saj në rrjetin social, Kryemadhi është shprehur se Rama është një pervers që sulmon dhe tenton të poshtërojë çdo grua që i del përpara. Kësaj here sipas Kryemadhit, Rama ka guxuar paturpësisht të sulmojë dhe një nënë e cila prej pak ditësh ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë.
“Me perversitetin që e karakterizon, me pasionin për të poshtëruar gratë
dhe vajzat që nuk i binden dëshirave dhe presionit të tij, Edi Rama ka guxuar
paturpësisht të përflasë edhe Kryetaren e Bashkisë Prrenjas, e cila sapo është
bërë nënë për herë të dytë.
Miranda Rira ka pak ditë që është bërë nënë, por as në fjalosjet më banale
shqiptare, as në kohët më të vështira, si asnjëherë kryeministri ka përfolur
një grua që sapo është bërë nënë.
Kjo ndodh jo vetëm për mungesën e respektit që ai ka për gratë e vajzat në
përgjithësi, as për ato që në veçanti i shërbejnë dhe nuk guxojnë ti kthejnë
fjalë, nuk ndodh as sepse ai përdor çdo gjë për të prodhuar lajm e për të
tërhequr vëmendjen nga kriza.
E gjithë kjo përbuzje për gratë vjen prej formimit të tij, prej mënyrës si e ka
ndërtuar jetën dhe karrierën ku gratë kanë qenë të keqpërdorura prej tij. Duke
harruar se vajzat dhe gratë shqiptare nuk janë ato që Edi Rama mendon apo
përdor si struktura eskorte, nuk janë ato që presin që jetën dhe karrierën tua
ndërtojë ekipi i rilindjes.
Vajzat dhe gratë shqiptare janë dinjiteti i shoqërisë dhe forca e familjes.
Janë ato që sot më shumë se kurrë e kuptojnë dhe luftojnë për një jetë më të
mirë për veten dhe familjen dhe për më shumë dinjitet në një shoqëri të marrë
peng nga qeverisja e bandave.
Shqipëria shtëpia juaj!”-shkruan Kryemadhi.