“Do dalim me dy lista në zgjedhjet e 25 prillit dhe në disa qarqe me lista të përbashkëta”, deklaroi sot në një emision televiziv, kryetarja e Lëvizjes për Integrim, Monika Kryemadhi, ndërsa theksoi se koalicioni PD-LSI nuk është natyral, por jetik.
Kryemadhi tha se opozita do të jetë një front i bashkuar i cili sjell ndryshimin që shqiptarët me zor po e presin ose fundin e tranzicionit politik dhe ekonomik.
Në lidhje me daljen me dy lista në zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi tha se nuk duhet rënë në kurthin e çështjeve teknike.
“Nëse ti do shkosh me një listë ne një qark çfarëdo ku PD ka vlerat e saj, po ashtu dhe LSI dhe partitë e tjera të opozitës kanë vlerat e tyre dhe do ishte më mirë dhe do orientoheshin shqiptarët në 140 emra apo në 280 emra”, tha ajo.
Kryemadhi tha se koalicioni me PD nuk është natyral. “Ne jemi parti e qendrës së majtë, nuk jemi parti e djathtë”, u shpreh ajo.
“Ajo që është e rëndësishme për të kuptuar është se anormaliteti që ka instaluar Rama sot do sjellë koalicione anormale. Pse normale është ulja e PDI-së me PDNJ që nuk janë ulur asnjëherë? Vërtet koalicioni LSI-PD nuk është natyral, por është jetik për të gjithë shqiptarët dhe partitë politike”, tha ajo.
Në lidhje me koalicionet para dhe paszgjedhore, Kryemadhi dha disa arsyetime.
“Në një listë në vende të caktuara dobësohet PD. PD është parti më e madhe dhe duhet të vazhdojë të mbledhë votat e veta dhe në zona të caktuara PD-LSI do hyjnë në një listë përsëri. Beteja nuk bëhet midis militantëve të PD-LSI. Beteja është për të marrë votën e atyre që janë të zhgënjyer”, tha Kryemadhi.