Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ditën e sotme ka prezantuar kandidatët për deputetë në qarkun Shkodër.
Në fjalën e saj, Kryemadhi, ka thënë se çelësi i suksesit të LSI-së kanë qenë të rinjtë dhe të rejat, sakaq shton se as pandemia nuk e ndalon atë që të ketë kontakte me njerëzit.
“Çelësi i suksesit të LSI-së kanë qenë të rinjtë, të rejat, kanë qenë forca tek gratë dhe vajzat, prandaj bëhen edhe xhelozë, por le të plasë syri i keq. Sot edhe pse pandemia nuk na lejon që ne të kemi takime të mëdha, kjo nuk e ndalon forcën e LSI-së për të kontaktuar me njerëzit, për të biseduar me ta, për të qenë në çdo shtëpi. LSI-a në Shkodër ka qenë promotorë e promovimit, e emancipimit, e kulturës, promotorë e dijes. “- ka thënë ajo.
Kryemadhi ka thënë se misioni i tyre, është që të kthejnë të rinjtë që kanë ikur jashtë shtetit në Shqipëri.
“Kështu që keni misionin që Shqipërinë ta bëni shtëpinë e shqiptarëve, sepse në qoftë se një njeri nuk ka shtëpi, nuk ka familje është qyqar. Dhe nuk duam ti lëmë shtëpitë e shqiptarëve shtëpi qyqarësh, por duam ti kthejmë në shtëpi.”
Kryemadhi është u drejtuar qytetarëe, duke thënë se është fat i tyre, që nuk kanë një kryetar Bashkie të Partisë Socialiste, pasi sipas saj ky sekt ka shkatërruar memorien historike të vendit, dhe tashmë do të shkatërrojë dhe memorien emocionale të familjes shqiptare.
“Në fakt është fat i madh që ju nuk keni kryetar Bashkie të rilindjes këtu për momentin, sepse edhe Teatrin ‘Migjeni’ do e kishin prishur. Edhe lagjet e vjetra shkodrane po ashtu. Shikoni së çfarë po ndodh në Tiranë, se çfarë po bën kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po shkatërron edhe Maternitetin, aty ku kanë lindur me miliona fëmijë të Tiranës, aty ku miliona nëna kanë kaluar dhe përjetuar emocione të jashtëzakonshme. Dhe të shkatërrosh Maternitetin sepse do të ndërtosh kullë aty, kur ndërkohë është një nga godinat më qendrestare, më të vjetra apostafat të ndërtuara për atë punë, është me të vërtetë e tmerrshme. Pra, ky kontingjent njerëzish që kërkon të shkatërrojë memorien, e shkatërruan memorien historike, e shkatërruan memorien politike, tani duan të shkatërrojnë edhe memorien emocionale të familjes shqiptare.”- ka thënë më tej ajo.
Kandidatë për deputetë në Shkodër janë Agron Çela, Edmond Ndou, Lindita Reçi, Ilir Hyseni, Erlinda Kavaja, Melisa Brojaj, Sonela Radohima, Elsidita Selaj, HAshim Tafeliku, Elmira Zefi, Elvis Metani.