Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte sot në Mbrostar ku prezantoi kandidaten e LSI për qarkun e Fierit, Luisida Muho.
“Kemi edhe disa angazhime që ne duhet t’i çojmë deri në fund, jo vetëm për komunën e Mbrostarit, por edhe për të gjithë Fierin, duke vazhduar dhe duke e pasur pikën time të parën të kontaktit me të gjithë ju, që nga protesta. Dhe aty kam vendosur që të kandidoj në Fier, pasi ka qenë një padrejtësi që i është bërë komunës suaj, ka qenë një padrejtësi ndaj këtyre qytetarëve”, u shpreh Kryemadhi.
“Kur kemi thënë ne që LSI është si një familje, njerëzit e merrnin si një lloj klientelizmi, por në fakt familja është një gjë për të cilën njerëzit sakrifikojnë. Dhe ne duam ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë, në mënyrë që ne të punojmë për njëri – tjetrin, të ndihmojmë njëri – tjetrin dhe t’i japim më shumë hapësira njëri–tjetrit”, tha Kryemadhi.
“Kur e kemi diskutuar edhe me Kejdin për Luisidën, kishim frikë se mos nuk do të na pranonte, por ajo jo vetëm që pranoi, por tha: Mos e keni merak, sepse unë do të jap maksimumin, edhe pse e di që do të kem presionin e madh! Por, nganjëherë gratë janë më trime dhe më luftëtare se burrat, sepse vetë gjeni dominant i nënës është ai që bëhet një mburojë për fëmijët e saj”, u shpreh Kryemadhi.