Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha sot se “LSI ka 5 propozime, të cilat do angazhohemi në 5 muajt e parë të qeverisjes. Janë 5 propozime shumë të thjeshta, që shkojnë drejtpërsëdrejti tek qytetarët”.
Gjatë takimi me banorët e njësisë 2, Kryemadhi u shpreh se “këto propozime kanë një kosto financiare 0 në buxhetin e shtetit, por përkundrazi kërkojnë një vullnet politik dhe një dëshirë të mirë nga qeverisja për t’i shërbyer qytetarëve”.
“Ne duhet ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve dhe kjo është një nga pikat tona kryesore. Sepse edhe propozimet tona kanë të bëjnë jo vetëm me problematikat dhe jetën e përditshme të tyre, por kanë të bëjnë edhe me fuqizimin ekonomik të tyre”, – tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së tha se “një nga pikat tona kryesore është kthimi mbrapsht i 5 % të faturës së shpenzimeve të qytetarëve. Çfarë do të thotë? Do të thotë që atë faturën që shqiptarët kanë jashtë enteve publike, pra po themi ushqim, veshmbathje, ilaçe, ne në fund të muajit u kthejmë atyre 5 % të asaj fature të konsumimit që ata bëjnë. Pra që do të thotë në fund të vitit është një pagë më shumë në familjet e shqiptarëve, që e thënë drejtpërsëdrejti, një familje mund të paguante internetin apo një pjesë të kopshtit apo çerdhes së fëmijëve”.