Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese konfirmoi sot se do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden në fillim të javës së ardhshme në San Diego të SHBA-së, një qytet në bregun e Paqësorit të shtetit Kalifornia, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në Ahmedabad, qyteti më i madh në shtetin perëndimor indian Gujarat, Albanese tha se edhe homologu i tij britanik Rishi Sunak do t’i bashkohet takimit të hënën, sipas një transkripti të publikuar në faqen zyrtare të kryeministrit.
Albanese mbërriti të mërkurën për një vizitë katër-ditore në Indi, i shoqëruar nga një delegacion i lartë biznesi.
“Komente të mëtejshme rreth propozimeve specifike (për AUKUS) do t’i bëjë në kohën e duhur. Por, mund të konfirmoj se të hënën do të ketë një takim të partnerëve të AUKUS, ku do të jem unë, presidenti Biden dhe kryeministri Sunak”, tha ai para gazetarëve kur u pyeti se si do të vendos Australia për pesë nëndetëset e klasës Virginia nga SHBA-ja.
“Në SHBA unë do të kem takime dypalëshe me presidentin Biden dhe kryeministrin Sunak. Pres me padurim publikimin e këtyre detajeve. Ato do të publikohen në mënyrën e duhur, të hënën, me kohën amerikane, në San Diego”, shtoi ai.
Kryeministri australian, megjithatë, sqaroi se vendi i tij do të mbajë kontrollin e plotë operacional të nëndetëseve të reja bërthamore, duke hedhur poshtë çdo nocion të komandës amerikane.
“Australia do të ruajë absolutisht sovranitetin tonë, sovranitetin tonë absolut, 100 për qind. Është shumë e rëndësishme që Australia si një shtet-komb sovran respektohet edhe nga të gjithë partnerët tanë”, tha Albanese.
AUKUS është një traktat trepalësh sigurie për rajonin Indo-Paqësor, i nisur më 15 shtator 2021, nga Australia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe.
Muajin e kaluar, dy kongresistë amerikanë, senatori Jack Reed dhe senatori republikan James Inhofe, ngritën shqetësime serioze në lidhje me marrëveshjen AUKUS dhe paralajmëruan presidentin Biden kundër çdo plani për të shitur ose transferuar nëndetëse të klasit Virginia në Australi përpara se Marina e SHBA-së të përmbushë kërkesat e saj aktuale sipas ABC News australiane.
Në nëntor të vitit të kaluar, Albanese tha se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij dhe do të ndërtojë flotën e nëndetëseve sipas marrëveshjes AUKUS, pavarësisht kritikave nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Deklarata e tij erdhi pasi Macron akuzoi ish-kryeministrin australian Scott Morrison për provokimin e një “konfrontimi bërthamor” me Kinën dhe tha se ai kishte ndihmuar Australinë të arrijë “lirinë dhe sovranitetin” përmes marrëveshjes së nëndetëseve.
Marrëdhëniet diplomatike midis Francës dhe Australisë u përkeqësuan në shtator 2021 kur Australia nënshkroi marrëveshjen AUKUS me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për furnizim me nëndetëse me energji bërthamore.
Australia anuloi kontratën prej 56 miliardë euro (57.2 miliardë dollarë) me Grupin Detar Francez për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale me naftë-elektrike.