Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka mbërritur në kryeqytetin Kigali të Ruandës në kuadër të një samiti të Komonuelthit ku do të diskutohen sfidat globale.
“Kam mbërritur në Ruandë për CHOGM-n për të adresuar sfidat globale, nga uria te ndryshimet klimatike dhe për ‘turbo-mbushje’ të tregtisë me disa nga ekonomitë më dinamike të botës”, shkroi Johnson në tëitter.
“Me vlerat, historinë dhe gjuhën tonë të përbashkët, Komonuelthi është një shoqatë unike dhe jetike”, shtoi ai.
Kryeministri britanik pritet të zhvillojë lidhjet tregtare të vendit të tij me klubin 54-anëtarësh pasi tregtia e vendit me Bashkimin Evropian (BE) është tkurrur që nga Brexit-i dhe ka regjistruar normat më të larta të inflacionit në 40 vitet e fundit.
Takimi i krerëve të Komonuelthit gjithashtu do të përfshijë përfaqësues nga Australia dhe Xhamajka, dy vendet që vitet e fundit kanë diskutuar ndërprerjen e lidhjeve me monarkinë britanike.
Princi Charles po përfaqëson Mbretëreshën Elizabeth II në takimin që po mbahet për herë të parë që nga viti 2018 për shkak të pandemisë COVID-19.
Ngjarja përkoi me pasigurinë rreth planit të diskutueshëm të qeverisë britanike për Ruandën, në të cilën Mbretëria e Bashkuar planifikon të largojë mijëra azilkërkues të saj.
Fluturimi i parë i planifikuar u ndalua më 14 qershor pas ndërhyrjes ligjore në minutën e fundit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Sipas ‘The Times’, Princi Charles e ka përshkruar planin “të tmerrshëm” dhe tha se ai është “më se i zhgënjyer” nga plani i dëbimit.
Samiti i Komunuelthit do të vazhdojë deri të dielën.