Italia e gjen veten në një krizë të re politike. Kryeministri Mario Draghi tha se do të dorëhiqej pasi partneri populist i koalicionit, Lëvizja e 5 Yjeve e Giusepe Contes, refuzoi të mbështeste paketën ekonomike prej 23 miliardë eurosh të qeverisë, me pretendimin se nuk ishte e mjaftueshme për të luftuar rritjen e kostove të jetesës.
Por edhe pse e fitoi me shumicë bindëse votimin e së enjtes së senat, me 172 vota pro dhe 39 kundër, njeriu i pagëzuar si super Mario kishte paralajmëruar vazhdimisht se pambështetjen e 5 yjeve qeveria nuk do të funksiononte. Ish-kreu i Bankës Qendrore tha se pakti i besimit që kishte mbajtur të bashkuar qeverinë e unitetit nuk ishte më.
“Votimi i sotëm në parlament është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja politike. Uniteti kombëtar që mbajti në këmbë këtë qeveri që prej krijimit, nuk ekziston më”, tha Draghi.
E megjithatë, presidenti Sergio Mattarella refuzoi dorëheqjen e tij, pas një takimi prej disa orësh në pallatin presidencial. Mattarella emëroi Draghi-n në krye të një qeverie teknike në shkurt të 2021-t për të shpëtuar vendin nga paqëndrueshmëria ekonomike, e shkaktuar nga kriza e Covid-19.
Tani, ai i kërkon kryeministrit ti drejtohet parlamentit për të ofruar një panoramë të qartë të situatës politike. Ndikimi i ndërhyrjes së Matarellës nuk është i qartë, por Draghi pritet të dalë para ligjvënësve të mërkurën, dhe më mbështetjen e nevojshme mund të qëndrojë në detyrë. Zgjedhjet në Itali do të mbaheshin në 2023 por nëse qeveria bie, qytetarët do të duhet t’i drejtohen qendrave të votimit që këtë vjeshtë.
Disa parti favorizojnë skenarin e zgjedhjeve të parakohshme, por një periudhë pasigurie politike do të minojë përpjekjet për të luftuar krizën energjetike dhe për të miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm.