Betejë deri në minutën e fundit për të marrë Downing Street pas dorëzimit të Boris Johnson.
Rishi Sunak, ish-kancelari i Thesarit, do të zgjidhet të hënën e 24 tetor lider i konservatorëve, duke e bërë atë kryeministrin e parë me ngjyrë të Britanisë.
Johnson bëri të pamundurën. Kaloi ditën e djeshme me telefonata për të mbledhur mbështetje midis deputetëve të partisë së tij dhe në mbrëmje mbështetësit e tij njoftuan se kishin arritur pragun fatal të njëqind nënshkrimeve.
Ndaj, Sunak dhe Johnson do të duhej të shkonin në votimin online midis rreth 180 mijë anëtarëve konservatorë: në këtë rast, pak s’kishte kurrëfarë dyshimi se Boris do të kishte fituar.
Ish-kryeministri mbetet jashtëzakonisht popullor tek baza, e cila nuk e ka tretur ende dëbimin e tij korrikun e kaluar, veçanërisht pas fiaskos së Liz Truss.
Por, çuditërisht, Johnson njoftoi në minutata e fundit tërheqjen e tij nga gara.
“Mund të konfirmoj se kam kaluar pragun prej 102 nominimesh: ka një shans të mirë që të kem sukses në zgjedhje mes anëtarëve të partisë konservatore dhe prandaj mund të kthehem në Downing Street të premten. Por gjatë ditëve të fundit, fatkeqësisht kam arritur në përfundimin se kjo nuk do të ishte gjëja e duhur: nuk mund të qeverisësh efektivisht nëse nuk ke një parti të bashkuar në Parlament. Mendoj se kam shumë për të ofruar, por kam frikë se nuk është momenti i duhur”, deklaroi Johnson.
Prandaj Johnson e bëri të qartë se ai kishte bërë një hap mbrapa sepse ishte i vetëdijshëm se kthimi i tij do ta kishte zhytur partinë në luftë civile.
E kishte të qartë që kishte shumë nga ata të cilët ishin trë gatshëm të grisnin teserën e partisë nëse Boris do të vinte sërish në krye.
Sunak, i cili kaloi 150 nominime, do të kurorëzohet automatikisht kryeministër dhe lider i partisë.
Një ngjarje historike: hera e parë e një kryeministri me origjinë indiane, bir emigrantësh dhe i përkushtuar ndaj fesë hindu.
Sunak shihet si një strehë e sigurt për të nxjerrë Britaninë nga kaosi në të cilin është futur.
Ai kishte qenë sfiduesi i Liz Truss gjatë verës dhe e kishte paralajmëruar për efektet katastrofike të një uljeje taksash të nxituar, gjë e cila ndodhi në fakt.
Emërimi i Sunak do të jetë një sinjal qetësues për tregjet financiare, të cilat e kishin vënë Londrën në pikëpyetje pas manovrës së pamatur fiskale të Truss.
Por Sunak mbetet një personazh i diskutueshëm, i parë si një plutokrat larg ndjenjave të njerëzve.
Kritikët e tij pretendojnë se ai e tradhtoi Johnson-in, kur ai dha dorëheqjen si ministër i financave në fillim të korrikut.
Kjo, duke çuar në rënien e kabinetit menjëherë më pas, dhe shumë ligjvënës ende e fajësojnë atë për rënien e Johnson-it.
Ndërkohë një videoklip nga një dokumentar i BBC-së i vitit 2007, në të cilin Sunak sugjeron se ai nuk ka asnjë “mik të klasës punëtore” po qarkullon në internet.
Ai është indiani i parë që mbajti postin e Kancelarit të Thesarit, ose Ministrit të Thesarit, pozicionin e dytë më të rëndësishëm në qeverinë britanike.
39-vjeçari vjen nga një familje e thjeshtë nga Punjab-i.
Pasi George Floyd u vra nga policia në Minneapolis dhe lëvizja “Black Lives Matter” përfshiu pjesën më të madhe të botës në vitin 2020, Sunak foli për racizmin me të cilin është përballur në jetën publike dhe për betejat që kapërceu familja e tij si emigrantë në Britani.
Ai gjithashtu ka mbrojtur publikisht besimin e tij hindu, duke u betuar në Bhagavad Gita kur mori detyrën.
Djali i një mjeku dhe një farmacisteje, prindërit e tij u përballën me sakrifica të mëdha për ta dërguar në Kolegjin Winchester, një nga shkollat më prestigjioze në Angli, ku shkollimi kushton 50 mijë euro në vit.
Prej aty zbarkoi në Oxford, ku u diplomua me sukses në Filozofi, Politikë dhe Ekonomi, kursi më prestigjioz që ka nxjerrë legjione kryeministrash.
Më pas ai vazhdoi studimet e larta në Universitetin Stanford, falë një burse Fulbright.
Aty takoi gruan e tij, Akshata, vajzën e Narayana Murthy, themelueses së kompanisë indiane të teknologjisë Infosys, një manjat, pasuria personale e të cilit vlerësohet në dy miliardë e gjysmë euro dhe kompania e të cilit kap vlerën e 40 miliardë.
Ata u martuan në vitin 2009 në Bangalore me një dasmë që zgjati dy ditë ku morën pjesë një mijë të ftuar.
Të dy jetojnë në një shtëpi luksoze në Yorkshire të rrethuar nga një liqen dekorativ privat brenda një pasurie prej 50 mijë metrash katrorë.
Kjo rezidencë i cili i ka dhënë atij pseudonimin “maharajah i Yorkshire”.
Pasuria personale e gruas së Sunak, e cila drejton shtëpinë e saj të modës, vlerësohet në mbi 200 milionë euro, edhe pse doli, që ajo nuk paguante taksa në Britani falë një sistemi (ligjor) të shmangies së taksave.
Por vetë Sunak, edhe para se të martohej me të, ishte bërë milioner pas një karriere ekselente në në financaë.
Kjo, duke përfshirë bankën e investimeve Goldman Sachs, përpara se të hapte fondin e tij personal të investimeve.
Pasuria e çiftit vlerësohet në afro 800 milionë paund, që është dyfishi i mbretit Charles dhe gruas së tij Camilla.
Shumë i pasur për të qenë kryeministër, mund të thotë ndokush.
Një njollë në historikun e tij, është edhe lidhja e tij me skandalin “Partygate” që rrëzoi qeverinë e Johnson.
Ashtu si shefi i tij, Sunak gjithashtu u gjobit nga policia gjatë kohës që ishte në detyrë për pjesëmarrjen në ahengje në Downing Street nr 10, ndërsa britanikët ishin nën kufizime të rrepta të lockdown-it të Coronavirus-it të vendosura nga Qeveria.
Partitë e opozitës, përfshirë Laburistët, po bëjnë thirrje për zgjedhje të përgjithshme në mënyrë që publiku i zemëruar të mund të thotë se kush do të bëhet kryeministri i ardhshëm britanik.
“E vërteta është se kalimi në postin e kryeministrit, nga posti i kancelarit, sikur të ishte një lloj loje, nuk do t’i sigurojë vendit udhëheqjen dhe stabilitetin që na nevojitet dëshpërimisht”, deklaroi ish-ministrja ‘në hije’ e Financave e Partisë Laburiste, Rachel Reeves, për BBC të premten.