Nëse do të ishte në dorë të publikut britanik, sot kryeministri i Anglisë do të ishte Boris Johnson – jo Rishi Sunak.
Por, të paktën deri në viti 2025, publiku britanik nuk do të mund ta japë votën e tij, dhe zgjedhja e kryeministrit të ardhshëm ishte vetëm në dorën e Partisë Konservatore dhe Johnson nuk mundi të arrinte mbështetjen e mjaftueshme të 100 anëtarëve në parlament (duke arritur vetëm 59 prej tyre).
Ndërkohë, Rishi Sunak i kishte mbledhur të paktën 140 mbështetës, dhe pasi kryetarja e dhomës së ulët të parlamentit britanik, Penny Mordaunt, hoqi dorë nga gara, Sunak u shpall zyrtarisht kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Por kush është Rishi Sunak dhe cilat janë pikëpamjet e tij politike?
Sunak thuhet se është njeriu më i pasur në parlamentin britanik dhe ai është i martuar me trashëgimtaren e kompanisë indiane të teknologjisë Akshata Murty.
Ai do të jetë kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë së Madhe dhe i pari me origjinë nga India.
Ndër të tjera Sunak do të jetë kryeministri i katërt i Mbretërisë së Bashkuar në vetëm 6 vjet.
Ekonomia
Sunak e ka përshkruar veten si një model dhe trashëgimtar i politikave të Margaret Thatcher, kryeministres konservatore të Mbretërisë së Bashkuar që sundoi vendin midis viteve 1979 dhe 1990.
Por, edhe pse ish-Kancelari i Thesarit dhe ish-ministri i ekonomisë ka qenë një mbështetës i zjarrtë i Brexit, dhe e donte Britaninë jashtë BE-së, ai është një ideolog më pak ‘i djathtë’ sesa Truss, e cila ishte pro uljes së taksave sidomos për të pasurit dhe minimizimit të rolit të qeverisë mbi korporatat dhe sektorin privat.
“Rishi Sunak ka të ngjarë të ketë një qasje shumë më ortodokse ndaj ekonomisë sesa Liz Truss, duke i dhënë përparësi balancimit të financave në vend sesa marrjes së rreziqeve financiare vetëm për hir të zhvillimit” tha Henry Hill, zëvendësredaktor i Conservative Home.
“Kjo do të ndihmojë në mbajtjen e tregjeve nën kontroll, por do t’i lërë qeverisë me pak hapësirë fiskale për ulje taksash ose shpenzime të reja të paktën përpara zgjedhjeve të ardhshme.”
Sidoqoftë, popullariteti i Sunak arriti një dimension tjetër gjatë pandemisë COVID-19, kur ai prezantoi skemën e ndihmës për bizneset private që i lejoi ata të paguanin punonjësit edhe pse nuk i kishin mundësitë financiare. Kjo ndërhyrje e madhe e shtetit u pa si një lëvizje e çuditshme për një politikan të djathtë.
Ndërkohë, gjatë fushatës së tij kundër Truss, Sunak u paraqis si zëri pragmatik i një ekonomisti të kujdesshëm i cili pranoi se Britanisë do t’i duhej të kursente dhe të “bënte disa shkurtime të vështira” në buxhet për të shmangur rritjen e çmimeve të energjisë dhe të inflacionit.
Mbështetësit e tij thonë se Sunak e kishte parashikuar zhvlerësimin e paundit dhe shitjen në masë të bonove të thesarit që ndodhi gjatë administratës së Truss për shkak të gafave të saj ekonomike.
Të gjitha këto mund ta bëjnë Sunak një lider të sigurt dhe i kujdesshëm, por në të njëjtën kohë ai rrezikon të jetë edhe një lider i harrueshëm dhe i zakonshëm duke ja lehtësuar rrugën të majtës britanike për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshimet Klimaterike
Sunak është më pak i qëndrueshëm kur vjen puna tek çështjet sociale, si ndryshimet klimaterike apo komuniteti LGBT+.
Megjithëse ai ka pohuar se fëmijët e tij janë “ekspertë” të klimës dhe kjo është një temë e përditshme në shtëpinë e tij, ai ka votuar pothuajse gjithmonë kundër masave për të parandaluar ndryshimet klimatike. Për shembull, në shkurt 2020, ai votoi kundër një programi që fokusohej tek eliminimi i emetimeve të sektorit të transportit deri në vitin 2030.
Megjithatë, Sunak tha në korrik se ai do ta bënte Britaninë të pavarur në aspektin energjetik deri në vitin 2045, përmes energjisë së erës, asaj diellore dhe energjisë bërthamore.
Çështjet LGBTQ+
Sunak ka thënë se njerëzit transgjinorë duhen respektuar por se ai e sheh biologjinë si diçka “të rëndësishme” dhe “themelore” kur vjen puna tek tema si tualetet e përbashkëta apo pjesëmarrja e tyre në sporte, çështje me të cilat ai nuk është absolutisht dakord.
Një aleat i Sunak i tha Daily Mail në korrik se ish-kancelari ishte “kritik ndaj tendencave të fundit për të fshirë gratë nëpërmjet përdorimit të gjuhës së pakujdesshme dhe neutrale ndaj gjinisë femër në administratë”.
Sunak nuk ka pranuar të jetë në parlament gjatë shumë votimeve të rëndësishme për çështjet LGBTQ+. Në vitin 2019, ai nuk ishte gjithashtu i pranishëm gjatë votimit për legalizimin e martesës së të njëjtit seks në Irlandën e Veriut.
Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Mbrojtja
Sipas analistëve britanikë, Sunak ka të ngjarë të mbetet po aq i përkushtuar sa ish-kryeministrat Boris Johnson dhe Liz Truss ndaj ofrimit të fondeve dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën ndërsa vendi vazhdon luftën kundër Rusisë.
Pasi George Floyd u vra nga një oficer policie në SHBA dhe lëvizja Black Lives Matter mori hov në verën e vitit 2020, Sunak foli për racizmin me të cilin u përball në jetën publike dhe vështirësitë me të cilat u përball familja e tij për të ardhur në Britani si emigrantë në vitet 1960.
Por, presidenti amerikan Joe Biden propozoi një taksë globale prej 21% për korportata të mëdha si Amazon dhe Google në mënyrë që të godiste shmangien e tyre ndaj taksave, Sunak nuk pranoi.
Me një miks politikash të majta dhe të djathta, një natyrë të përgjegjshme dhe tejet të kujdesshme, Sunak mund të jetë popullor brenda partisë konservatore, por beteja e tij për t’i udhëhequr ata drejt zgjedhjeve të ardhshme do të jetë shumë më e vështirë, sidomos në një kohë kur kriza globale dhe një recesion i mundshëm do të jenë pikat definitive të karrierës së tij si kryeministër.